Nëse shpërthehen dy orteqet, Brezovica mund të hapet të dielën

Pas mbarimit të takimit mes pjesëtarëve të FSK-së dhe trupave të KFOR-it, është konkluduar se nga shtatë orteqet që ishin konsideruar si të rrezikshme, pesë prej tyre nuk paraqesin më rrezik për vizitorët.

Ky përfundim vjen si shkak i shkrirjes së pesë prej shtatë orteqeve, ndërsa dy orteqet e tjera janë konsideruar me rrezikshmëri mesatare.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar Kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ilir Morina.

“Takimi i Qendrës së Situatave dhe pjesëtarëve të KFOR-it dhe FSK-së kanë konkluduar se nga shtatë orteqet që janë konsideruar si të rrezikshme, vetëm dy prej tyre vazhdojnë të paraqesin rrezik mesatar për vizitorët. Si rezultat i kësaj, ditën e nesërme, pjesëtarët e FSK-së përmes mjeteve deminuese do të bëjnë rrëshqitjen e këtyre dy orteqeve”, ka thënë Morina për Ballkani.info.

Në fund, Morina ka thënë se pritet që qendra e skijimit në Brezovicë, të hapet ditën e dielë, në rast se nuk kanë ndonjë pengesë gjatë operacionit. /Ballkani.info/