Nëse kalon tutje, Drita në plejof të Ligës së Evropës pret Qarabagun

Nëse kalon edhe rrethin e tretë kualifikues në Ligën e Evropës, kampioni i Kosovës në futboll Drita do të përballet me Qarabagun e Azerbajxhanit në plejof.

Kjo është mësuar nga shorti i hedhur të premten në Nion të Zvicrës.

Të enjten Drita ka shkruar historinë duke u bërë klubi i parë nga Kosova që arrin në këtë fazë, pasi eliminoi Sileksin e Maqedonisë me fitoren 2:0 në Shkup.

Përballja me Legian e Varshavës do të zhvillohet javën e ardhshme në Poloni, ndërsa ndeshjet e plejofit luhen më 1 tetor.

Ndërkaq, kampionia e Shqipërisë, Tirana, në plejof do të përballet me Young Boysin e Zvicrës.

Shkëndija do të luajë fillimisht me Tottenhamin e nëse fiton në plejof përballet me fituesin e duelit Rostov-Maccabi Haifa.