“Nëse edhe tri ditë nuk arrihet marrëveshja LVV-LDK, vendi shkon në zgjedhje”!

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pas takimit triorësh të mbajtur sonte, nuk kanë arritur marrëveshjen për koalicion qeverisës.

Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, u tha se duhet ende të punohet për marrëveshjen dhe se në ditët në vijim do të bëhet e qartë se si do të veprohet në situatën e krijuar mes dy partive.

Anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Glauk Konjufca para gazetarëve shprehu skepticizmin e tij për përpjekjet e formimit të koalicionit qeverisës.

“E gjitha çka mund të them për sonte, se nuk pati marrëveshje dhe duhet të shohim në ditët e ardhshme si duhet të veprojmë”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti bëri të ditur se takimet me VV-në do të vazhdojnë deri në arritjen e një marrëveshje, shkruan Ballkani.info.

Ndërkaq, derisa këto takime nuk po japin rezultate dhe koha po kalon, duhet kujtuar deklaratën e deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili para katër ditësh ka thënë se  “brenda shtatë ditësh marrëveshje duhet të arrihet, ose vendi shkon në zgjedhje”.

“Besoj që afati kushtetues i rregullt nis më 24 dhjetor. Pra i kemi dy javë për të arritur marrëveshjen. Për të qenë i drejtpërdrejtë, beosj që brenda javës ose duhet të arrihet marrëveshje ose s’ka shpresë për marrëveshje. Sepse koha lë hapësirë për interferim të të tjerëve e të krijohet distancë”.

Abdixhiku në Rubikon ka thënë se po të dilte LDK si parti e parë, atëherë marrëveshja do të arrihej që moti.

Sipas kësaj llogarie të Abdixhikut, nëse edhe tri ditë nuk kemi marrëveshje, atëherë na presin zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme. /Ballkani.info/