Policia e Kosovës

Nëpërkëmbja e statusit të policëve, saga e tenderit për të mbathur çizmet

Më 15 qershor të vitit 2021 zyra e prokurimit në Policinë e Kosovës e hapi ofertën për të pajisur policët me çizme. Policia kishte ndarë nga buxheti i vetë 759 mijë e 900 euro, me të cilat kërkohej që të bliheshin 4 mijë e 595 palë çizme, nga të cilat 3 mijë e 360 palë çizme standarde policore dhe 1 mijë e 235 çizme taktike për Drejtorinë e Njësive Speciale dhe Policinë Kufitare.

Në këtë tender kishin ofertuar tri kompani.

Solid Sh.P.K si ofertuesi më i lirë dhe njëherit prodhues vendor, me 484 mijë e 745 euro. Grupi i operatorëve ekonomikë Genc Tahut Giyim Textil Insaat San dhe Runway me 608 mijë e 665 euro dhe ofertuesi i tretë Fitim Bilalli B.I – Prishtinë, i cili kishte ofertuar për rreth 10 mijë euro më pak sesa çmimi i caktuar nga policia, me 749 mijë e 723 euro.

Problemi fillon kur Policia e Kosovës i shpalli të tri kompanitë të pa përgjegjshme për shkak se asnjëra nga to nuk plotësuan një nga specifikat e tenderit, që kishte të bënte me peshën e çizmeve.

Policia kishte kërkuar që çizmet taktike të peshojnë 1300 gram – plus minus 10%.

Sipas peshores së policisë çizmja e kompanisë vendore Solid peshonte 1528 gram, ajo e grupit të operatorëve ekonomik Genc Tahut Giyim Textil Insaat San dhe Runëay peshonte 1465 gram dhe çizmja e kompanisë Dardanix peshonte më pak sesa specifikat e kërkuara në tender, 1110 gram. Çizmja më e lehtë sesa kërkohej me specifika edhe doli fituese në fund të këtij procesi.

Por, të tri kompanitë ofertuese u ankuan në këtë fazë. Gresa Kuci – Kastrati, Menaxhere për Zhvillim, Solid ShPK ka thënë për Betimi për Drejtësi se cizmja e tyre nuk kishte problem me peshën, siç e kishte paraqitur policia.

“Ku thotë që produkti jonë i ka 1528 gram, ne nuk e dimë formën se si e kanë matë ata, nuk e dimë në çfarë niveli ka qenë peshorja, a ka qenë e ekuilibruar apo nuk ka qenë, në anën tjetër ekziston një standard në të cilin ne e masim peshën, në ISO 237-shin ashtu siç ka qenë edhe vet kërkesa e Autoritetit Kontraktues, atëherë kjo bien poshtë për shkak se vet iso standardi, gjë të cilën ne e kemi shqyrtu dhe e kemi cekë edhe në ankesën tonë e kemi tregu që kjo gjë duhet me ra poshtë, sepse nëse na jepet një standard, ne duhet ta respektojmë atë lloj standardi. Pavarësisht specifikave teknike të cilat munden me qenë”, tregon ajo.

Pronari i Kompanisë Ranway, thotë se çizmja e tyre e plotësonte kriterin e peshës, ashtu siç kërkonte Policia, por ajo ishte peshuar bashkë me një shtresë të brendshme të çizmes, të cilën prodhuesi turk e kishte bërë ekstra si dhuratë.

“Ne e kemi bë ankesën për shqyrtim. Unë jam shku në qasje të dokumenteve zyrtare të policisë dhe kam mujt ju kam shpjegu që na ka eleminu për një shtresë që i vendoset çizmes, të cilën prodhuesi e jep atë si bakshish, gjatë lamjes, ju kemi tregu që kjo është ekstra nga prodhuesi, po megjithatë Policia e Kosovës na eliminon për peshë”, ka thënë Sabit Makiqi, pronar i Ranway.

Të kontaktuar nga Betimi për Drejtësi, përfaqësues të kompanisë Dardanix me pronar Fitim Bilallin, si ofertuesi i tretë në këtë tender, çizmja e së cilit kishte peshën më të lehtë sesa kërkohej, nuk kanë pranuar të prononcohen.

“Për informata institucionale tjetër herë i drejtohesh organeve kompetente, meqë unë nuk kam as mundësi as informata të mjaftueshme. Ju lutem për mirëkuptim”, shkroi Fitim Bilalli një sms përmes telefonit”.

Policia e Kosovës i shqyrton këto ankesa dhe prapë vendosë që ta anuloj këtë tender, vendimi merret më 25 nëntor të vitit 2022.

Në arsyetimin e dhënë për ketë veprim, Policia thotë se ankesat janë të pa bazuara dhe të pa qëndrueshme.

Kompania Dardanix e cila në këtë fazë kishte vënë në dyshim saktësinë e peshores me të cilën u peshuan çizmet, ankesën e kishte drejtuar edhe për këtë gjë.

Për të cilën, përgjigja e Policisë nuk mungoi. Dardanix-it specifikisht i është përgjigjur se pretendimi se peshorja e Policisë nuk ka qenë e kalibruar nuk qëndron.

“Peshorja me të cilën janë bërë matjet është e kalibruar dhe fotografia në raportin e vlerësimit e tregon saktë realitetin e mostrës së dorëzuar dhe peshës që ka mostra juaj. Ky pretendim bëhet duke u munduar të ndryshoni matjet e saktë të bëra nga ana e AK dhe nuk ka tolerancë në peshore, sipas pretendimit tuaj kjo është e pa kuptimtë kërkesa për tolerancë e cila nuk ka asnjë logjikë po ashtu edhe vet e pranon se mostra mund të jetë më e lehtë sesa pesha e lejuar dhe pretendimi që prodhuesi merr garancinë është i pabazë pasi që vlerësimi bëhet në bazë të mostrës së dorëzuar dhe mbi bazën e së cilës ju jeni eliminuar”, thuhet në përgjigjen e policisë në dosje të tenderit.

Fitim Bilalli si pronarë i kompanisë Dardanix përveç në Polici, u ankua edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit, për konstatim jo të saktë të peshës së çizmeve të tyre.

“Në lidhje me arsyen e eliminimit se “Çizmet janë nën peshën e lejuar” ju sqarojmë se ky arsyetim është i pa qëndrueshëm, sepse çizmet e ofruara nga ne i përmbushin specifikat e kërkuara sipas aneksit 1 të dosjes së tenderit. Nëse analizohet katalogu i prezantuar nga ne, shihet qartë se çizmet e prezantuara nga ne, të prodhuesit Haix, kanë peshë 600 gram për copë, e që i bije se për dy çizme pesha arrin 1200 gram. Pra pesha është në përputhje të plotë me specifikat e kërkuara, pasi që pesha e çizmeve është kërkuar të jetë 1300 gram plus minus 10%”, është ankuar pronari i kompanisë Dardanix, Fitim Bilalli, në OSHP.

Bilallit edhe një herë kishte ngritur dyshime për saktësinë e peshores së Policisë, kësaj here në OSHP.

“Në lidhje me arsyetimin e lartcekur të AK-së se kinse fotografia që i është bërë mostrës dhe peshores e tregon saktë realitetin e mostrës dhe se kinse peshorja është e kalibruar, ju sqarojmë se ky arsyetim nuk qëndron, për faktin se nuk mund të vërtetohet saktë kalibrimi i peshores përmes fotografisë dhe përkundër kërkesës sonë nuk është dëshmuar certifikata e kalibrimit të peshores”, ankohet Bilalli.

Për më tepër, në ankesën e deponuar më 13 dhjetor të vitit 2022, Bilalli ka treguar se mostrat e tij i ka peshuar në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK), rezultatin e së cilës e kishte bashkëngjitur në ankesë.

“Ne kemi bërë matjen e çizmeve pranë Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK, gjeni të bashkëngjitur foton të lëshuar nga ky agjencion njëherit dëshminë e këtyre matjeve do tua sjellim ditëve në vijim. Qartë shihet dhe dëshmohet se çizmet tona kanë peshë sipas specifikave teknike gjegjësisht 1188.7 gram”, thuhet në ankesën e Bilallit drejtuar OSHP-së.

Në OSHP u ankuan edhe dy kompanitë tjetra, të cilat garonin në këtë proces por që çizmet e tyre peshonin disa gram më shumë sesa kërkonte policia në tender.

Rreth dy muaj më vonë, më 22 shkurt të vitit 2023, OSHP vendosi që ta pranonte vetëm ankesën e Dardanix, duke i hedhur poshtë dy ankesat e kompanive të tjera dhe duke kërkuar nga Policia e Kosovës që këtë proces tenderues ta kthente në rivlerësim.

Gresa Kuci – Kastrati, Menaxhere për Zhvillim në Solid ShPK ka treguar se OSHP nuk ishte korrekt me ankesën e tyre.

“Një pyetje shumë e thjeshtë që na ka lind neve si kompani është që, një ekspert shqyrtues për me matje me shqyrtu një produkt, a duhet me pas atë produkt përpara? Dhe a duhet me i pas të gjitha certifikata testuese të atij produkti? Ndërsa në kushte normale ndodhë ashtu nëse ne i çojmë një palë këpucë për testim nuk i çojmë një palë, por i çojmë pesë palë. Shkojnë testohen dhe kthehen mbrapa. Kthehen mbrapa testet e jo këpucët, për shkak se ato ndahen e i kanë 100 procedura që kanë me shku tutje. Në vendimin e ë-së, eksperti thotë që unë nuk i kam pa mostrat mirë po e lë përgjegjësinë e autoritetit kontraktues me vazhdu për me marre vendimin, në këtë rast Policia e Kosovës”, thotë ajo.

Megjithatë pronari i kompanisë Ranway, Sabit Makiqi, ka thënë për Betimi për Drejtësi se ka dëshmi që peshorja e policisë nuk kishte problem.

Refuzimin e ankesës nga OSHP e cilëson si diskriminuese, pasi që diferenca në gram e çizmeve të tyre përafronte më shumë sesa e kompanisë Dardanix, të cilës iu aprovua ankesa për të vazhduar tutje në proces tenderimi.

“Gjatë rivlerësimit në sipas meje është bërë një diskriminim i madh, ku të njëjtin operator e ka eleminu për peshë të çizmes, edhe unë si pronar, kam shku e kam marrë peshoren edhe kemi shku në Policinë e Kosovës dhe të gjitha parametrat dhe pesha është përputhë me autoritetin kontraktues, dhe me gjitha qysh na ka thënë autoriteti kontraktues, d.m.th peshorja jonë me peshoren e Policisë së Kosovës janë të ngjashme, kurse kur e qon operatori ekonomik në fjalë, i fundit edhe ofertën, është operatori DardaniX, është oferta më e shtrenjta, të dy operatorët që kemi qenë më të lirë, na është eliminu oferta jonë edhe ndërsa operatorit ne fjalë, DardaniX që është më i shtrenjti edhe që është pesha që vet autoriteti kontraktues, Policia e Kosovës e qet me 79 gra që nuk i plotëson kriteret, 79 gram më pak, sipas fotos dhe njoftimit për vendim të autoritetit kontraktues është 79 gram më e lehtë, ndërsa e jona 1300 gram plus minus, është 29 gram më e natë, neve nuk na e aprovon kërkesën për rishqyrtim, ndërsa operatorit në fjalë që është më i shtrenjti, ja aprovon Ë-ja dhe neve na i merr tarifat e ankesës”, thotë Makiqi.

Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar sqarime nga OSHP-ja, por të njëjtit janë arsyetuar se qëndrimet e tyre i kanë shprehur përmes vendimeve.

Përfaqësues të shoqërisë civile të cilët fokus të veçantë hulumtimi kanë trajtimin e proceseve tenderuese në vend, vlerësojnë se OSHP diskriminoi dy kompanitë në këtë proces tenderimi duke mos ua dhënë të drejtën e barabartë në proces të ripeshimit, njëjtë si Dardanix-it.

“Në këtë rast organi shqyrtues I prokurimit do të duhej t’i aprovonte edhe dy ankesat e tjera, në mënyrë që të bëhej ri matja e të gjitha llojeve të çizmeve për të gjithë operatorët ekonomik për të parë edhe një herë peshën e çizmeve dhe jo vetëm ri matjen e njërit operator ekonomik”.

“Ligji i prokurimit publik e parasheh që të gjithë operatorët ekonomik duhet të trajtohen barabartë dhe në këtë rast edhe Organi Shqyrtues I Prokurimit do të duhej ta merrte parasysh këtë fakt”, thotë Leorentë Alija, Hulumtuese në INPO.

Alijajt, meqë të tri kompanitë kishin të njëjtën problematikë e cila duhej të rishikohej, kompania me çmimin më të lirë nuk do të duhej të largohej nga gara në këtë fazë testimi.

“Rrjedhimisht edhe logjikisht do të duhej që operatori më i lirë, ashtu siç është paraparë edhe në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë, të shpërblehet me kontratë, në qoftë se i njëjti i plotëson të gjitha kriteret e parapara në dosjen e tenderit, mirë po bazuar edhe në vendimin e organit shqyrtues së prokurimit, do të duhej që të bëhej matja për të gjitha çizmet e të gjithë operatorëve ekonomik dhe aty mund të vërehej edhe pasha e atyre çizmeve e cila është më e përafërt ose vlera e njëjtë me plus minus 10% atij, do të duhej t’i jepej kontrata”, tregon hulumtuesja Alijaj për Betimi për Drejtësi.

Organi Shqyrtues i Prokurimit me të aprovuar ankesën e Dardanix, i kishte kërkuar të njëjtit që çizmet e tij t’i ri peshonte në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, ani pse kompania në fjalë dy muaj më parë i kishte treguar në ankesë se çizmet i kishte ri peshuar në po këtë agjenci.

“PSH konstaton se mënyra ligjore e verifikimit të drejtë të gjendjes faktike, do të ishte që mostrat e dorëzuara nga OE, AK gjatë rivlerësimit ti dorëzoj në AMK (Agjencia e Metrologjisë së Kosovës), në mënyrë që të caktohet pesha e saktë e mostrave të dorëzuara nga OE ofertues”.

Narracion: Se Dardanix i kishte ri peshuar vet mostrat në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, e ka konfirmuar edhe agjencia.

Përmes postës elektronike, AMK ka treguar për Betimi për Drejtësi se më 20 dhjetor të vitit 2022 me kërkesë të Dardanix, është bërë matja precize e çizmeve me lidhëse në tri mostra të ndryshme dhe ka rezultuar se pesha e tyre është 1187.1 gram.

Por, çfarë mostra ka peshuar Dardanix?

Të kontaktuar nga Betimi Për Drejtësi, Artan Fejza zyrtar në zyrën e prokurimit në Policinë e Kosovës, ka thënë përmes telefonit se mostrat nuk u dorëzohen operatorëve ekonomik, kur procesi anulohet, pra ato vazhdojnë të mbesin në Polici ose në cilindo autoritet deri sa të mbyllet komplet procesi i tenderimit. Dhe kjo bëhet me një proces të veçantë ku u kërkohet operatorëve ekonomik që të vijnë dhe ti tërheqin ato.

Fejza, ka treguar se ai vet e ka hedhur poshtë ripeshimin e mostrave i cili u bë me kërkesë të Dardanix në Agjencinë e metrologjisë së Kosovës.

Pas kërkesës së OSHP-së që Policia t’i dërgonte çizmet e Dardanix për ripeshim, në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, kjo e fundit nxori një rezultat tjetër.

Kësaj radhe me kërkesë të Policisë së Kosovës, më 3 mars të këtij viti, Çizmet e Dardanix, sipas AMK-së peshuan 1106.4 gram.

82.3 gram më pak sesa kur kjo çizme ishte ri peshuar në AMK nga vet kompania Dadanix.

3.6 gram më pak sesa pesha të cilën e kishte nxjerrë peshorja e policisë në fillim të tenderit dhe në fund 63.6 gram më pak sesa minimumi i kërkesës specifike të Policisë së Kosovës në tender e që ishte 1300 gram plus minus 10%.

Kështu më 23 qershor të këtij viti, Policia e Kosovës vendosi që Dardanix ta shpërblej me kontratë, duke e shpallur fitues të tenderit për “Furnizim me Çizme”. Ani pse çizmja e kësaj kompanie edhe pas disa ripeshimeve nuk përmbushi kërkesën më problematike në këtë tender e që ishte pesha.

Përveç kësaj, çizmja me të cilën ofertoi kompania Dardanix do të prodhohet nga fabrika e HAIX në Kroaci e që në këtë tender ishte ofertuesi më i shtrenjtë, duke lënë pas dy kompani të tjera, të cilat po ashtu kishin probleme me peshën, për disa gramë më shumë sesa kërkesa specifike e policisë por që ofronin çmim më të lirë të furnizimit.

Çizmja e operatorëve ekonomik Genc Tahut Giyim Textil Insaat San dhe Runway që sipas peshores së policisë doli 65 gram më shumë sesa specifika në tender do t’i sillej policisë me 608 mijë e 665 euro, apo rreth 141 mijë euro më pak sesa kompania fituese Dardanix.

Dhe akoma më lirë do t’i kushtonte çizmja e kompanisë vendore Solid, e cila doli se peshonte 75,2 gram më shumë sesa kishte kërkuar policia por që u ofrua me 484 mijë e 745 euro apo 264 mijë e 975 euro më pak sesa kompania fituese Dardanix.

Krejt kjo, për të sjellë 4 mijë e 365 palë çizme