Neonazistët mblidhen në qendër të Beogradit

Në qendër të Beogradit, përkundër apeleve të organizatave joqeveritare drejtuar policisë për ta parandaluar, janë mbledhur anëtarë të organizatës neonaziste “Zentropa Srbija”.

Ata u mblodhën në vendin e vdekjes së Milan Nediqit, liderit të qeverisë kolaboracioniste në Serbinë e pushtuar në Luftën e Dytë Botërore, në cep të rrugës “Simina” dhe rrugës “Kneginje Ljubica”, raporton N1.

Ishin rreth 50 të tillë, duke shpalosur pankarta dhe duke kënduar këngë kushtuar Nediqit, si dhe ndezën pishtarë. Tubimi ka zgjatur rreth 45 minuta dhe policia ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës, duke e ndarë tubimin nga antifashistët, mes të cilëve edhe organizatat joqeveritare dhe lëvizja “Mos e mbyt Beogradin”.

Sofija Todoroviq nga “Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” deklaroi se “kemi qenë dëshmitarë se ligji që ndalon ngjarjet që promovojnë fashizmin në fakt nuk vlen”.

“Policia në fakt ishte këtu sonte për të ruajtur një tubim të njerëzve që mbështesin fashizmin dhe festojnë bashkëpunëtorin nazist Milan Nediq”, tha Sofija Todoroviq.

Ajo tregon se në bazë të ligjit, ngjarje të tilla duhet të ndalohen.

“Ne e kundërshtuam këtë sepse besojmë se tradita antifashiste e Serbisë dhe Beogradit nuk duhet të lejojë që të ndodhin gjëra të tilla”, tha Todoroviq.

“Zentropa” është një organizatë ndërkombëtare neo-naziste që ka aktivitete në qytetet e Serbisë dhe dyshohet se ata sulmuan lokalin “Crni ovan” në Novi Sad, ku mblidhen përkrahësit e antifashizmit.