UÇK

“Nëntori i Tretë” – Historia me detaje të rralla për daljen e parë publike të UÇK-së

Një ceremoni mortore e varrimit të mësuesit Halit Geci që u vra nga forcat serbe, më pas do të kthehej në një moment të historisë.

Më 28 nëntor të vitit 1997 Ushtria Çlirimtare e Kosovës për herë të parë doli publikisht.

Në varrimin e mësuesit Geci u shfaqën Daut Haradinaj, Rexhep Selimi e heroi Mujë Krasniqi. Një turmë prej mijëra njerëzish nisën thirrjet “UÇK, UÇK”.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Daut Haradinaj, ishte në moshën 19-vjeçare kur mori pjesë në këtë ceremoni.

Në një rrëfim për Nacionalen, Haradinaj ka treguar detaje të rralla se si ndodhi krejt ngjarja.

“Para se me ardhë deri te dalja publike e UÇK-së, ka pasur një dyluftim në Vojnik në familjen e ABedin Rexhës. Unë nuk kam qenë në Drenicë nuk kam marrë pjesë në këtë përballje, unë kam qenë në Dukagjin. Në atë kohë njëfarë dakordimi i celulave të UÇK-së ka qenë që kudo që sulmohet një familje, kundërpërgjigja e UÇK-së ka qenë duhet të jetë më e afërta. Me datë 26 nëntor kemi kryer detyrat në Dukagjin, ka pasur mbi 16 sulme në emër të asaj që UÇK-ja është në krejt Kosovën. Janë harxhur municionet dhe vonë dikund kam shkuar në Jabllanicë te Lahia dhe e kam takuar me Mujë Krasniqin, bashkë me Dervishin, kemi biseduar çka ka ndodhur në Drenicë, dhe ata parashihnin sulm në Drenicë. Unë isha shkuar me marrë municion, por kur tha Muja do të ketë përballje të re, UÇK-ja e kish thy Serbinë në Llaushë, dhe serbët gjatë asaj beteje, gjatë tërheqjes kanë shti në shkollë dhe u vra mësuesi Halit Geci. Edhe i thashë Mujës po shkojmë bashkë”, tha fillimisht Haradinaj.

Në këtë rrëfim të Nacionales kanë treguar detaje edhe babai i heroit Mujë Krasniqi, Halili, si dhe djali i mësuesit Halit Geci, Lulzimi.

Rrëfimin e plotë mund ta ndiqni në këtë video-dokumentar: