Autoritetet indiane

Nëntë të vrarë nga përleshja e armatosur në Kashmir

Autoritetet indiane njoftuan të dielën se dy ushtarë të saj dhe një civil janë vrarë nga përleshja e armatosur me forcat pakistaneze në rajonin e Kashmirit. Në anën tjetër, Pakistani tha se gjashtë civilë pakistanezë janë vrarë në këtë konflikt.

Tre civilë indianë u lënduan dhe disa ndërtesa e automjete u shkatërruan për shkak të luftimeve të ashpra në rajonin Tanghdar, i cili shtrihet në pjesën veriore të Kashmirit. Një zyrtar i lartë policor tha se konflikti i armatosur ndodhi gjatë orëve të vona të së shtunës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Indi, koloneli Rajesh Kalia, tha se Pakistani e shkeli marrëveshjen e armëpushimit në këtë rajon pa qenë i provokuar nga forcat rivale. “Trupat tona u hakmorën fuqishëm dhe i shkaktuan dëme të rënda dhe viktima armikut”, tha ai.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur në muajt e fundit që nga vendimi i Indisë për t’ia hequr statusin e veçantë autonom rajonit të Kashmirit dhe dërgimit të ushtrisë në këtë rajon më 5 gusht.

Ndryshe, Pakistani dhe India në të kaluarën i kanë zhvilluar dy luftëra mes vete për shkak të rajonit të Kashmirit. Të dyja vendet pretendojnë se Kashmiri është pjesë e territorit të tyre, shkruan “Reuters”.

loading…