Nëntë mësimdhënës në Malishevë kompensohen me 79 mijë euro

Nëntë mësimdhënës në Malishevë kanë fituar betejën gjyqësore me këtë komunë.

Rreth 79 mije euro është shuma që këta mësimdhënës do t’i marrin për periudhën 2015-2016, kur ata kishin punuar në Qendrën e Kompetencës në Malishevë, por për të cilën punë nuk ishin paguar.

Sipas një vendimi të Gjykatës Themelore në Gjakovë, secili prej këtyre mësimdhënësve do të marrë rreth 6 mijë euro kompensim për këto pagesa.

Në Drejtorinë e Arsimit thonë se e gjithë kjo situatë ishte krijuar për shkak të mossqarimit të kompetencave mes Agjencisë për Aftësim Profesional dhe Komunës së Malishevës.

Megjithatë, zyrtarë të Komunës thonë se ata ende nuk e dinë se si do të ndahen këto mjete për këta mësimdhënës.

Opozita në Malishevë po konsideron se vendimi i Komunës për punësimin e këtyre mësimdhënësve atëkohë ishte i kundërligjshëm.

KTV-ja ka kontaktuar me disa prej mësimdhënësve, të cilët e kanë fituar rastin në gjykatë, por ata nuk kanë dashur të flasin për këtë vendim.

Derisa në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional kanë thënë se u duhet më shumë kohë për të kthyer përgjigje për këtë çështje.