Nëntë ditë nga bllokimi i rrugëve në veri, situata mbetet e brishtë

Serbët lokalë në veri të Kosovës, tash e nëntë ditë kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Ndërkohë, janë të mbyllura edhe vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak, nën kontrollin e policisë së Kosovës. Në barrikada janë edhe mjekët dhe stafi mjekësor në veri.

Megjithatë, Policia e Kosovës njoftoi të premten është vendosur një barrikadë e re në veri të Kosovës.

Sipas raportit policor, barrikada e re është vendosur “në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan”.

Por, zyrtarët policorë nga rajoni i veriut, kanë thënë se situata në paraditen e 17 dhjetorit është e qetë.

Kurse, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet e Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat në veri të Kosovës dhe se janë duke vlerësuar situatën në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Sveçla u shpreh se qytetarët e zonës veriore që janë bllokuar nga barrikadat, po kërkojnë “me ngulm” heqjen e tyre.

“Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt”, shkroi ai në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se janë duke pritur KFOR-in që të heqin barrikadat.

“Më së miri do të ishte që të hiqen nga ata që i kanë vendosur, mirëpo ata që i kanë vendosur ato barrikada janë vendosur edhe vetë në barrikada, madje me armatim. Nuk janë këto barrikada civile dhe, në anën tjetër, ne kemi dhënë kohën e kërkuar prej KFOR-it që ata ta bëjnë heqjen e këtyre barrikadave, dhe ministri ynë i Punëve të Brendshme po pret”, ka thënë Kurti në një intervistë për ATV, të enjten.

Ai ka thënë se barrikadat në veri të Kosovës nuk mund të qëndrojnë aty, “jo vetëm pse shkelin ligjin dhe lëvizjen e lirë, por në të njëjtën kohë edhe për shkak se vetë qytetarët serbë janë më të bllokuarit”.