Nënshkruhet Udhëzimi Administrativ që bën unifikimin e barnave

Me më shumë se një vit vonesë, prejse është premtuar legjislacioni që bën unifikimin e produkteve mjekësore në barnatoret e Kosovës, është nënshkruar të hënën Udhëzimi Administrativ që rregullon këtë fushë.

Udhëzimi, i nënshkruar nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përcakton dhe rregullon çmimin e produkteve mjekësore për shitje me shumicë dhe pakicë në sektorin privat nga subjektet e licencuara, produkteve mjekësore nga Lista e barnave esenciale, dhe produkteve mjekësore nga Lista e barnave të rimbursuara nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas nënshkrimit ministri Ismaili tha se mungesa e këtij Udhëzimi Administrativ ka sjellë telashe të mëdha në sektorin e shëndetësisë.

“Sektori i shëndetësisë ka qenë në një kaos të madh, të cilin e kanë shkaktuar blerjet me çmime të larta, por edhe mungesa e legjislacionit në fuqi për ta rregulluar. Kjo ka gërryer besimin tek institucionet tona publike, prandaj ka qenë më se e nevojshme që ne të bëjmë diçka. Kosova ka qenë i vetmi vend me Bjellorusinë në Evropë që nuk ka pasur sistem të rregullimit të barnave duke lënë kështu që paraja jonë të jetë pre e abuzimeve të ndryshme”, ka thënë ai.