LAJMI I FUNDIT

Nënshkruhet në Shkup marrëveshja Kosovë-Maqedoni për tunelin Prizren-Tetovë, Aliu: Financimi do të ndahet proporcionalisht

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se sot në Shkup është nënshkruar marrëveshja për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren – Tetovë.

Aliu tha se financimi i këtij projekti, përfshirë tunelin në rrugën Prizren – Tetovë do të ndahet proporcionalisht në përputhje me gjatësinë e tij në secilën anë, ndërsa sipas tij, projektimi i secilës pjesë para dh pas tunelit do të jetë e financuar nga pala përkatëse.

“Kjo rrugë krijon një lidhje të sigurt dhe të qëndrueshme mjedisore të transportit për njerëz dhe mallra, duke forcuar edhe ndërlidhjen midis parqeve kombëtare, destinacioneve turistike dhe korridoreve rrugore në mes Republikës tonë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

“Ndërkaq, si lidhje e dy rrugëve në pikën më të afërt mes tyre, përveç se i ofron dy qytetet dhe dy shtetet tona, gjithashtu mundëson krijimin e një korridori rrugor të ri me ndikim në skenën rajonale të Ballkanit, duke i lidhur jo vetëm Prizrenin me Tetovën, por edhe Prishtinën me Durrësin dhe Tiranën, përmes autostradës ‘Ibrahim Rugova’”, shkroi Aliu.

Më tej, ai tha ky projekt ka ndikim të jashtëzakonshëm edhe në zhvillimin ekonomik e infrastrukturor të të dyja vendeve si dhe integrimin rajonal.