Ministrja Hajdari

Nënshkruhet “Deklarata e Tiranës”, Kosova kërkon të jetë e barabartë me shtetet tjera të rajonit

Ministrat dhe përfaqësues të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar “Deklaratën e Tiranës” për mbështetjen e rimëkëmbjes dhe rritjes së turizmit në rajon, në një konferencë rajonale të mbajtur sot në Tiranë.

Ngjarja e mbajtur shënon finalizimin e “Projektit për Promovimin dhe Zhvillimin e Turizmit” të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), financuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas organizatorëve, “Deklarata e Tiranës” e sheh turizmin si sektor kyç për rimëkëmbjen ekonomike rajonale, mundëson koordinimin e rihapjes dhe funksionimin e vazhdueshëm të zinxhirit të furnizimit me shërbime turistike e të udhëtimit, lehtëson udhëtimin e sigurt, me synimin që Ballkani Perëndimor të jetë destinacion i rëndësishëm turistik.

Alessandra Viezzer, zëvendësdrejtuese e Njësisë për Bashkëpunim dhe Programet Rajonale të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Evropian, u shpreh në këtë konferencë online se BE-ja e sheh Ballkanin si partner të rëndësishëm.

Në një komunikatë për media të RCC-së, bëhet e ditur se vetëm në gjysmën e parë të vitit 2020 pati 75% rënie të numrit të vizitorëve në rang ndërkombëtar krahasuar me vitin 2019 dhe qarkullimi i të ardhurave për vitin 2020 ishte në nivelin e 35%. Kjo është një rënie e madhe për Ballkanin Perëndimor, i cili në vitin 2019 ka pasur 12 milionë vizitorë dhe një fitim prej 7.2 miliardë eurosh nga sektori turistik.

Në këtë takim, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Qeverinë e Kosovës, Rozeta Hajdari, ka thënë se nëse Kosova nuk konsiderohet partnere e barabartë me shtetet tjera të rajonit, iniciativat rajonale s’mund të kenë sukses.

“Ne jemi këtu për të marrë pjesë si partner i barabartë, bashkë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. E them këtë, sepse vendi ynë nuk ka përfituar aq shumë nga iniciativat rajonale deri më tani. Por me projektin ‘Triple P’, në kuadër të RCC, Kosova ishte e barabartë në përfitim nga përkrahja e dhënë për zhvillimin e turizmit kulturor dhe turizmit të aventurës”, është shprehur ajo.

“Projekti i Turizmit – Tripple – P”, sipas organizatorëve, ka angazhuar më shumë se 100 ekspertë dhe profesionistë dhe përafërsisht 60 organizata të shoqërisë civile në nisma që i përkasin turizmit rajonal.