Nënshkruhen tri marrëveshjet rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit

Kryeminsirat e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar në kuadër të Samitit “Procesi i Berlinit” tri marrëveshje, të dakorduara më 21 tetor.

Marrëveshjet e nënshkruara:

1. Marrëveshja mbi lëvizjen e lirë me karta identiteti në Ballkanin Perëndimor

2. Marrëveshja mbi njohjen e diplomave të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor

3. Marrëveshja për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve, arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirë në Evropën Qendrore

Si mikpritës i Samitit të Procesit të Berlinit, kancelari gjerman Olaf Scholz e ka hapur fjalimin e tij me premtimin se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të anëtarësohen në familjen evropiane dhe kjo gjë është në interesin e vetë rajonit.

Kancelari shtoi se Procesi i Berlinit nuk do të ketë për detyrë vetëm të çliroj gjithë potencialin e bashkëpunimit, por të përshpejtoj edhe integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit.

“Sot po bëni hapa madhorë duke nënshkruar 3 marrëveshje të rëndësishme. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajon. Marrëveshjet do t’iu mundësojnë qytetarëve tuaj që të lëvizin vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup”, përfundoi Scholz.

Qeveria njofton për marrëveshjet e nënshkruara në Samitin e Berlinit

Qeveria e Kosovës ka njoftuar për marrëveshjet e nënshkruara në Samitin e Berlinit.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se pas gati dy vite të negociatave në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mes Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, Kosova sot ka nënshkruar tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit përmes të cilit jetësohet Tregu i Përbashkët Rajonal.

Bazuar në rregullat e BE-së, marrëveshjet që janë nënshkruar sot janë ato për lëvizjen e lirë me letërnjoftime; për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

njoftohet se përmes marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime, qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin lirshëm duke përdorur vetëm letërnjoftimin e njërës nga shtetet sipas legjislacionit në fuqi.

“Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, qytetarët e Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës më në fund do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime, duke sjellë Prishtinën dhe Sarajevën afër qytetarëve të dy shteteve tona. Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda Rajonit”, thuhet në njoftim.

ndërkaq, sipas njoftimit, me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“E bazuar në direktivën e BE-së 2005/36/EC për njohjen e kualifikimeve profesionale, kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës”, thuhet në njoftim.