Nënshkrimi i Xhelal Sveçlës që u solli fitime të majme kompanive private

Një pjesë e madhe prej 501 mauneve me mallra të cilat hynë në Kosovë, u obliguan të paguanin një tarifë prej 22 eurove për dezinfektim të maunës.

Qeveria e Kosovës mori vendim për dezinfektimin e secilës maune që do të hynte në Kosovë nga 1 qershori, ditën e hapjes së kufijve tokësorë të Kosovës. Vendimi parashihte që dezinfektimi i mauneve do të realizohej nga disa kompani private, të përzgjedhura nga Ministria e Punëve të Brendshme përmes një procesi të mbyllur prokurimi.

Tarifa të cilën u obliguan të paguajnë shoferët e kamionëve që hynë në Kosovë të hënën varionte nga 17 deri në 22 euro dhe përcaktohej sipas peshës së mjetit transportues. 17 euro obligohej të paguante shoferi i një maune me peshë 3.5 deri në 7 ton, ndërkaq 22 euro kushtonte dezinfektimi i një maune me peshë mbi 12 ton, shkruan Gazeta Insajderi.

Mirëpo, teksa kompanitë private përfituan nga marrëveshja e tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme, shoferët e kamionëve e cilësuan të panevojshme tarifën e vendosur nga Qeveria.

Besim Gashi, pronar i Besimi Commerce, po kalonte me maunën e tij të mallrave në pikën kufitare të Vërmicës të hënën kur u ndalua nga autoritetet e shtetit dhe u detyrua të kryente dezinfektimin e mjetit transportues për shumën e 22.5 eurove. Ai hodhi dyshime se kompania private Eko Pastrimi, e kontraktuar nga MPBAP-ja për të kryer dezinfektimin, nuk po lëshonte as kuponë fiskalë.

“Pasi e morëm një lajm që ka dal në mëngjes një dezinfektim i ashtuquajtur prej 22 euro e gjysmë për firmën tonë është e papranueshme dhe jo vetëm për firmën tonë por për të gjithë transportuesit dhe të gjithë firmat tjera është e papërballueshme… Prejardhja e kësaj se si ka ardhur nuk po e dimë hala nuk jemi të konfirmuar prej cilës ministri a qeveri… i japin do paragona pa numër rendor”, tha Gashi.

Shumë shoferë refuzuan të paguanin tarifën e vendosur sipas marrëveshjes së kompanive private me Qeverinë e Kosovës. Kjo ishte njëra nga arsyet që detyroi u.d. të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlën, ta pezullonte vendimin e tij të hënën pasdite. Përmes një njoftimi për media të hënën rreth orës 16:00, MPBAP-ja pezulloi kontratën me kompanitë private për dezinfektimin e mauneve të mallrave në pikat kufitare.

Por, kompanitë private të përzgjedhura për kryerjen e dezinfektimit të mauneve në pikat kufitare të vendit me nënshkrimin e ministrit Sveçla, përfituan qindra euro për disa orë pune të hënën.

Njëra prej tyre është edhe kompania “Eko Pastrimi” me bazë në Suharekë. Firma, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron në emër të Samire Osmanit dhe në po të njëjtën agjenci shtetërore figuron të ketë të punësuar një punëtor. Kompanitë e tjera të kontraktuara për këtë shërbim nuk janë bërë publike nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Labinot Vata, përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Eko Pastrimi”, e cila ka marrëveshje të lidhur me MPBAP-në për dezinfektimin e mauneve të mallrave në pikëkalimet kufitare të Vërmicës dhe Kullës, thotë se kontratën ndërmjet firmës që ai përfaqëson dhe Ministrisë së Brendshme e nënshkroi Xhelal Sveçla.

“Kontrata e kompanisë të cilin e përfaqësoi unë është kontraktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Është kontratë konform procedurës së mbyllur me negocim dhe nënshkrues ka qenë ministri Sveçla”, ka thënë Vata të martën, në një bisedë me Insajderin.

Vata ka thënë se në ditën e hyrjes në fuqi të kontratës kompania “Eko Pastrimi” ka hasur në telashe. Ka thënë të ketë munguar “dora e hekurt” e institucioneve shtetërore, e cila sipas tij, e ka zbehur zbatimin e kontratës.

“Firma, bashkë me institucionet shtetërore kanë filluar realizimin e kontratës nga ora 00:00 e datës 1 qershor. Por, që nga fillimi i kontratës kemi pasur probleme pasi shteti nuk ka pasur autoritet dhe i ka lëshuar disa prej mauneve të mallrave pa kryer dezinfektimin. Paratë janë paguar që nga momenti kur kanë hyrë në Kosovë, por kanë qenë pak shoferë të kamionëve që kanë paguar. Ndërkaq, fitimet mund t’i llogaritni vet nëse e pyesni Policinë e Kosovës apo Doganën e Kosovës”, ka deklaruar përfaqësuesi i kompanisë “Eko Pastrimi”.

Gazeta Insajderi e ka pyetur Doganën e Kosovës lidhur me numrin e mauneve që kanë hyrë në Kosovë të hënën e 1 qershorit.

Zyrtari për Informim në Doganën e Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë me dije se numri kamionëve të mallrave që kanë hyrë në Kosovë të hënën është 501 në total. 116 prej tyre hynë në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, ndërkaq 160 në pikën kufitare të Hanit të Elezit.

Shumica prej këtyre mauneve i janë nënshtruar dezinfektimit të obliguar nga Ministria e Punëve të Brendshme në pikëkalimet kufitare.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme e ka mbajtur të fshehur kontratën e lidhur me kompanitë private për dezinfektimin e mauneve me mallra në pikëkalimet kufitare.

Gazeta ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme sqarime, si dhe sigurimin e dokumentit të marrëveshjes ndërmjet MPBAP-së dhe kompanive private, por nga kjo ministri nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Insajderit.