Nënkryetarja e PDK-së për Rexhep Selimin: Trim në luftë e këmbëngulës në politikë, 10-sh në të gjitha

Në ambientin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, sot është hapur ekspozita me 110 piktura të 10-shit të UÇK-së, Rexhep Selimit, që është një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Selimi, i cili po mbahet në Hagë nga Gjykata Speciale, këtë ekspozitë e ka quajtur “Në garë me botën gri”.

Pikturat e Selimit trajtojnë tema të ndryshme me motive kombëtare dhe patriotike.

Në librin e kujtimeve të kësaj ekspozite janë shkruar fjalët më të mirë për Selimin, duke nisur nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Çitaku e ka përshkruar Selimin si trim dhe këmbëngulës në politikë.

“Të kam njohur si trim, si ushtar, në politikë si këmbëngulës, si tekstshkrues, ndërsa sot të njoh edhe si piktor. 10 në të gjitha. Po na mungon, ke me u kthy shpejt”, ka shkuar Çitaku.

Edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, ekspozitën e Rexhep Selimit e ka vlerësuar kartolinë për Festën e 28 Nëntorit.

“Ekspozita e Rexhës është një kartolinë urimi nga Haga për festën e Flamurit, 28 Nëntorin. Aty janë edhe Hashimi, Kadria, Jakupi e të cilit i kanë dhënë një pjesë të frymëzimit… Lufta e UÇK-së me ju vetëm lartësohet”, ka shkruar Minxhozi.

Ndërsa, Fatmir Grajçevci, i ka uruar shëndet mikut të tij, Rexhep Selimit, derisa ekspozitën e ka vlerësuar si brilante.

“Brilante, urime shoki im. Brilante ekspozitë siç je edhe vet miku im! Të uroj shëndet dhe suksese gjithmonë! Uroj sa më shpejtë të jesh i lirë së bashku me të gjithë”, ka shkruar ai.

Kurse, Amanti, Asdreni dhe Arlindi e kanë përgëzuar axhën e tyre për ekspozitën, duke e quajtur të mahnitshme.

“Xhaxh, të përgëzojmë për ekspozitën e mahnitshme”.

Në hapjen e kësaj ekspozite kanë qenë të pranishme personalitete politike nga pozita dhe opozita. /Demokracia.com/