Nënkryetari i PDK-së: Sot Ramush Haradinaj u bë njeri i pavdekshëm

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport dhe nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti thotë se ndjehet i hidhëruar për dorëheqjen e kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili sipas tij, për herë të parë i dha dinjitet sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit.

Sipas tij, Haradinaj nuk ishte vetëm kryeministër i vendimeve të mëdha dhe se me dorëheqjen e dytë në cilësinë e kryeministrit, për të njëjtën arsye, e dëshmoi edhe një herë se është një njeri i madh i humanizmit.

“Ramush Haradinaj e dëshmoi në mënyrë personale se fuqia e një pushteti nuk mund të jetë më e fuqishme sesa karakteri dhe dinjiteti i një burrështetasi. Akti i dorëheqjes së dytë në cilësinë e kryeministrit qysh tash do ta bëjë Ramush Haradinajn njeri të pavdekshëm, njeri të fjalës, të besës, të respektimit të ligjit dhe të Kushtetutës”, deklaroi ai.

Hoti shtoi se Ramush Haradinaj di ta bashkojë kombin edhe atëherë kur përballet me fatkeqësitë e mëdha personale e familjare.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e Kryeministrit pasi ka marrë ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si përfaqësues qeverisë së Kosovës.

loading…