Nënkryetari i AAK-së thotë se opozita është bërë bajat me mocionin

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, njëherësh nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i ka cilësuar “refrene bajate për qytetarët” deklaratat e opozitës për ta organizuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Ai ka thënë për “Epoka e re” se reagimi i subjekteve opozitare është si reaksion i mungesës së alternativës së tyre.

“Pa pasur nevojë të bëhet qesharake, opozita le ta organizojë mocionin nëse i ka votat”, është shprehur ai.

Akuzat ndaj tij për korrupsion, që i kanë bërë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, Lekaj i ka quajtur shpifje të cilat nuk duhet të merren seriozisht.

Sipas Lekajt, me ardhjen e tij në krye të MIT’së, drejtësisë i janë hapur dyert për ta kryer punën e vet.