Nëna e Hashim Thaçit me COVID-19 e shtrirë në Infektivë, kjo është gjendja e saj

Nëna e ish-presidentit Hashim Thaçi, Hyra Thaçi, është shtrirë gjatë ditëve të fundit në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pas infektimit me virusin COVID-19.

Për shkak të infektimit me këtë virus, gjendja e saj shëndetësore ishte rënduar, andaj edhe i është dashur trajtim mjekësor.

Nga zyra për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë thënë për Express, se gjendja e saj momentalisht është stabile.

Ata kanë bërë të ditur se ajo është me oksigjeno-terapi.

“QKUK ju konfirmon se nëna e ish-presidentit është duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Sipas stafit mjekësor që është duke u marrë me trajtimin e saj, për momentin ka gjendje stabile edhe pse është në asistim me oksigjeno-terapi”, është thënë për gazetën.

Nëna e ish-presidentit Thaçi gjatë këtij viti ka mbushur 83 vjet.

Thaçi ka më shumë se një muaj që po mbahet në Hagë. Ai u arrestua pas akuzave për krime lufte, të ngritura prej Zyrës së Prokurorit të Specializuar.