Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu, më 2 shkurt nesër do të mbahet Akademia Përkujtimore “Trinomi i Janarit Nga Llapi në Junik”, kushtuar heronjve të kombit Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, shkruan Gazeta Projekti.

Kjo akademi organizohet në kuadër të shënimit të 29-vjetorit të rënies heroike të tre dëshmorëve, të cilët me sakrificën e tyre u shndërruan në simbol të rezistencës dhe luftës për lirinë e Kosovës.

Në këtë aktivitet përkujtimor pritet të marrin pjesë bashkëveprimtarë, familjarë të dëshmorëve, personalitete të jetës publike, si dhe artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Përmes fjalës dhe artit, ata do të nderojnë jetën dhe veprën e këtyre figurave madhore të historisë sonë.

Akademia do të mbahet më 2 shkurt, duke filluar nga ora 11:00, në sallën e Kuvendit Komunal të Junikut.

Organizatorët ftojnë qytetarët që me praninë e tyre të nderojnë kujtimin e heronjve që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Nën patronatin e kryetarit Ruzhdi Shehu mbahet Akademia Përkujtimore “Trinomi i Janarit nga Llapi në Junik.