AI

Negociata maratonë dhe dakordim historik: Çfarë lloj marrëveshjeje për inteligjencën artificiale arriti BE-ja

Negociatorët e Bashkimit Evropian (BE) janë dakorduar për hartimin e një marrëveshjeje, e cila do të përmbajë rregulla gjithëpërfshirëse të Inteligjencës Artificiale (Al) për mbarë botën.

Kjo marrëveshje hap rrugën për mbikëqyrjen ligjore të teknologjisë së përdorur në shërbimet gjeneruese të Al si ChatGPT.

Me rastin e miratimit të vendimit historik, foli edhe komisioneri evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton.

“Evropa po bëhet kontinenti i parë që vendos rregulla të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale. Kjo është shumë më tepër se një paketë rregullash. Është një pikënisje për studiuesit evropianë që do të udhëheqin garën globale për inteligjencën artificiale”, tha ai.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti miratimin e këtij vendimi.

“Një kuadër i vetëm ligjor për zhvillimin e inteligjencës artificiale, të cilit mund t’i besojmë. Evropa i ka udhëhequr këto procese dhe ka dhënë rezultatin”, tha Von der Leyen.

Vendimi vjen pasi disa politikanë kundërshtuan përdorimin publik të skanimit të fytyrës dhe sistemeve të tjera të identifikimit biometrik shkaku i shkeljeve të privatësisë, transmeton Telegrafi.

Por, disa qeveri të vendeve anëtare të BE-së këmbëngulën të bënin disa përjashtime në mënyrë që ligji t’i përdor sistemet e identifikimit për trajtimin e krimeve të rënda si sulmet terroriste.

Teksti i marrëveshjes, sipas përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, përfshin gjithashtu “vijat e kuqe” të tyre që konfirmojnë se disa sisteme të mbikëqyrjes biometrike që janë konsideruar të papranueshme, duke përfshirë kategorizimin sipas racës, orientimit seksual, bindjeve politike, fetare apo filozofike, do të jenë të ndaluar.

“Kjo përfshin njohjen e emocioneve në vendin e punës dhe institucionet arsimore, si dhe sistemet që manipulojnë sjelljen njerëzore,” shpjeguan ata.

Versioni përfundimtar i Aktit të Al të BE-së do të ketë nevojë për miratim nga 705 deputetë të bllokut, përpara se ata të shpërndahen për zgjedhje në mbarë BE-në vitin e ardhshëm.

Ligji në fjalë nuk do të hyjë në fuqi deri në vitin 2025, raporton skynews.

Ndryshe, edhe pse sistemet gjeneruese të Al si ChatGPT e Gemini kanë mahnitur përdoruesit me aftësitë e tyre, inteligjenca artificiale ka shkaktuar edhe shqetësime rreth vendeve të punës, privatësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit.