Iftar

Në xhaminë “Bedri Kamberi” në Prishtinë, gjatë gjithë muajit të shenjtë do të shtrohen iftare falas

Imami i xhamisë “Bedri Kamberi”, në lagjen e Spitalit në Prishtinë, Labinot Maliqi, ka njoftuar se për gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit do të shtrohen iftare falas.

Maliqi, ka falendëruar kryetarin e Komunës së Prishtinës, Perparim Rama i cili e ka mbështetur me Tendën e Ramazanit.

“Me emrin e Zotit dhe për hatër të Tij, sikurse viteve të kaluara, edhe gjatë këtij muaji të bekuar të Ramazanit ne do të shtrojmë çdo ditë iftare falas në oborrin e xhamisë sonë në Lagje të Spitalit, afër Eulex-it në Prishtinë. STUDENTËT, FAMILJET ME JETIMA DHE ATO NË NEVOJË, janë mëse të mirëpritur në sofrën tonë të iftarit”.

“E falënderojmë përzemërsisht dhe i jemi mirënjohës kryetarit të Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, i cili i është përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për të na mbështetur me Tendën e Ramazanit, me të cilën tashmë jemi pajisur dhe do të shërbehemi edhe në të ardhmen. Ndërsa, ata që dëshirojnë të kontribuojnë në shtrimin e iftareve ditore në xhaminë tonë, le të më shkruajnë. Ne tashmë kemi filluar t’i listojmë emrat e donatorëve”, ka shkruar imam Maliqi.