Në vitin 2014, Konjufca: Në fund të fundit, zgjidhjen në dorë e kanë deputetët shumicë

Ministri në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, së fundmi u deklarua se Qeveria duhet të krijohet vetëm nga partia që i ka fituar zgjedhjet, në këtë rast partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.

Mirëpo, kështu nuk kishte menduar Konjufca në vitin 2014, kur së bashku me partitë e tjera krijuan një shumicë. Edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Konjufca besonte se deputetët duhet të vendosin.

“Radha është t’i hapet rrugë asaj pikës 127, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila thotë se në fund të fundit zgjidhjen në dorë e kanë deputetët, nuk e ka as Gjykata Kushtetuese e as PDK, as institucionet që po kontrolon ajo. Zgjidhja është tek 73 vota në Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mazhorancë e pakontestueshme”, thoshte Konjufca.

Konjufca vazhdonte të thoshte se bllokimi që po bëhej nga një parti, po e dëmtonte Kosovën.

“Edhe shtetit tonë po i bën dëm të madh. Lajmet ndërkombëtare po thonë se Kosova është futur në krizë, pasi një subjekt politik po dëshiron që ose ai ta udhëheqë patjetër Kosovën ose kriza do të zgjas pafundësisht”, thoshte ai.

Madje, logjikën e bllokimit nga një parti, ai e quante logjike të keqe dhe, sipas tij, logjika e shëndosh është vetëm logjika e shumicës.

“Unë mendoj që kjo është një logjikë e keqe, një logjikë që nuk i konvenon shtetit të Kosovës dhe shpresoj që më në fund do të ngadhënjejë një logjikë tjetër, logjikë e shëndosh, logjika e shumicës demokratike të deputetëve për të themeluar institucionet e shtetit”, shtonte Konjufca.

Për të, zgjidhja ishte që të bëhej presion tek PDK-ja për të pranuar se realiteti demokratik është të pranohet shumica që i ka numrat për të krijuar institucionet.

“Zgjidhja më racionale do të ishte që PDK-së t’i bëhej trysni që të pranonte realitetin demokratik në Kosovë. E realiteti demokratik në Kosovë është që ajo nuk i ka numrat, nuk mund t’i krijojë institucionet dhe nuk është mirë që ta mbajë Kosovën peng dhe të hymë edhe në vitin tjetër pa institucionet”, shtonte ai.

Ndryshe, tani VV-ja po insiston se krijimi i institucioneve i takon vetëm asaj pasi, sipas tyre, kështu thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, një pikë të së cilës e citonte Konjufca pak më lart.