Në vend të urimit për 30 vjetorin e madh të themelimit të LDK-së

Në vend të urimit për 30 vjetorin e madh të themelimit të LDK-së, meqë rast i kujtojmë me respekt të përjetshëm themeluesit e saj si dhe gjithë të rënit për lirinë e Kosovës!

Po bëhen 30 vite qëkur elita intelektuale e Kosovës themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë e parë pluraliste pas rënies së sistemit komunist jugosllav!

Në atë kohë shumica e intelektualëve, patriotëve dhe e rinisë shqiptare iu bashkuan idesë dhe nismës politike për një organizim tjetër nga sistemi monist i cili po i shtypte dhe nëpërkëmbte të drejtat etnike dhe kulturore të shqiptarëve në ish Jugosllavi.

Ide, kjo e cila u mbështet fuqishëm nga mërgata jonë patriotike në Evropën perëndimore, SHBA-Kanada, Australi deri në Zelandën e re.

Shumica e bashkëthemeluesve dhe ideatorëve në Kosovë dhe mërgatë janë gjallë, por për fat të keq të injoruar dhe të anashkaluar, aso të lënë në harresë, ndërsa ata që më nuk janë në mesin tonë sikur lideri ynë nacional dhe kryetari i LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, mjerisht udhëheqësit e tanishëm të partisë emrin e tij e keqpërdorën për fushata elektorale si dhe për poena politik, gjë që nuk iu ka bërë fare nderë. Përkundrazi, e kanë dëmtuar shumë imazhin e LDK-së dhe filozofinë politike të presidentit tonë historik, Dr. Ibrahim Rugova!

Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me partitë simotra të kohës siç ishte Partia Demokristiane e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës si dhe figurat me ndikim publik kontribuuan në afirmimin e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti.

Lidhja Demokratike e Kosovës, përveç organizimit në Kosovë dhe gjithandej shteteve perëndimore kontribuoi në organizimin e partive politike në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Siç kontribuoi në ndërtimin dhe udhëheqjen e sistemit paralel të vetorganizimit tonë shtetëror në Kosovën e okupuar nga regjimi kriminal i Serbisë.

Në këtë 30 vjetor, Lidhjen Demokratike e gjejmë me një kryetar komunist-autokrat, i fundit në ish Jugosllavi i cili ende udhëheq një parti nacionale të orientimit të qendrës së djathtë politike, një nonsens ky i pa parë në botën demokratike pas rënies së Murit të Berlinit!

Mbetet imperativ i kohës brezit të ri i rritur dhe i edukuar në frymën e programit bazik dhe rritjes së LDK-së për ta reformue dhe demokratizue partinë e parë pluraliste shqiptare në Ballkan, në harmoni me aspiratat e atyre që e themeluan!

Degët e LDK-së në Perëndim kanë qenë shtylla të forta dhe kontribuuese të gjithanshme të saj si dhe ura lidhëse mes Kosovës dhe vendeve perëndimore. Një kujtim i veçantë dhe respekt të pakufi për gjithë ata mijëra aktivist që kontribuuan për ruajtjen dhe rikthimin e fuqishëm të LDK-së në Kosovë pas mbarimit të luftës sonë çlirimtare.

Tani degët e saj në mërgatë janë nëpërkëmbur dhe dobësuar, të gjitha figurat e saj që kanë qenë themeluese dhe aktivist të shquar të janë harrue, denigrue dhe linçue me qëllimin ogurzi për ta ndërrue kursin politik dhe kombëtar të LDK-së si dhe për t’i shtyrë në harresë gjithë ata që ishin dhe do mbeten figura kyçe në LDK si dhe në të gjitha proceset e rëndësishme të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës!

Urime ky jubile gjithë atyre që e ndjenë vetën pjesë e bashkë themelimit dhe rritës së LDK-së, e cila gjithnjë do identifikohet me liderin nacional, Dr. Ibrahim Rugova.

Respekt për gjithë ata burra e gra që kontribuuan në themelimin, rritën dhe organizimin e LDK-së si dhe mbarëvajtjen e funksionimit të saj të suksesshëm si parti popullore dhe nacionale.

Lavdi gjithë heronjve dhe martirëve të Kosovës!

Hafiz Gagica
Stuttgart, 23.12.2019