Dreth

Në varrezën e supozuar masive në veri të Kosovës, dyshohet se janë 23 shqiptarë

Dyshohet se në fshatin Dreth të Leposaviqit, gjendet një varrezë masive me 23 shqiptarë të vrarë në kohën e luftës.

Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit thotë për RTV Dukagjinin, se pos fshatit Dreth, dyshohet se edhe në tri lokacione tjera në Kosovë mund të ketë varreza masive.

“Pos fshatit Dreth, për varreza masive kemi dyshime edhe në fshatin Marinë të Komunës së Skenderajt dhe disa lokacione tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës”, deklaroi Gara.

Kryetari i KLMDNJ për rajonin e Mitrovicës, Halit Berani thotë se ka dyshime që në këtë lokacion janë vrarë 23 intelektualë nga Mitrovica.

“Në atë vend kanë rënë në dorë të kriminelëve serbe 23 shqiptarë, të gjithë intelektualë, në mesin e të cilëve është edhe vëllai im. Me 19 prill janë zënë dhe janë pushkatua. Në mesin e tyre dy kanë shpëtua”.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për persona të pagjetur pritet të mbajë një mbledhje për të diskutuar për disa lokacione tjera që dyshohet se mund të ketë varreza masive.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka thënë se janë në pritje të imazheve satelitore për lokacionin e saktë të varrezës së dyshuar masive. /RTVDukagjini