Në Ukrainë nuk kishte luftë civile, por agresion të Rusisë

Pavel Gubarev, një nga organizatoret dhe paramilitarët e parë në rajonin e rebeluar të Donetsk, në Ukrainën lindore, e pranon hapur se në Ukrainë nuk kishte luftë civile por agresion të Rusisë.

Konflikti në Ukrainë kishte filluar në vitin 2014, së pari përmes protestave të organizuara kinse nga banorët lokal, për të vazhduar me sulme kundër institucioneve dhe forcave të sigurisë të Ukrainës. Luftimet kryesisht ishin të koncentruar në dy rajonet lindore të Ukrainës, në Luhansk dhe Donetsk. Nga fillimi i konfliktit e deri me tani janë vrarë rreth 13 mijë ukrainas.

Pjesa dërmuese e grupeve të armatosura për të cilët thuhej se janë banorë lokal, në të vërtetë ishin pjesëtarë të njësive të rregullta të ushtrisë dhe policisë ruse, si dhe mercenarë të Wagner, formacionit paramilitarë rus, i cili udhëhiqet nga njeriu i afër i Putin, Yevgeny Prigozhin.

Pavel Gubarev duke ju drejtuar masës

Gubarev, pretendon se në mars të vitit 2014, nga protestuesit ishte zgjedhur udhëheqës i rajonit të Donetskut. Gubarev gjatë fillimit të konfliktit ishte mbështetur dhe financuar nga Sergei Glazyev, i njohur si këshilltarë i lartë i presidentit rus, Vladimir Putin.

Gubarev gjatë një interviste për blogerin rus, Maxim Kalashnikov, e pranon se motori i kryengritjes ruse në Ukrainën Lindore ishte Igor Girkin, ish-pjesëtarë i Shërbimit inteligjent ushtarak rus-GRU.

Igor Girkin është i njohur edhe për rolin e tij në rrëzimin e aeroplanit të udhëtarëve, Malaysia Airlines MH17, ku kishin gjetur vdekjen 298 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit. Ka dëshmi të mjaftueshme që Girkinin e implikojnë si personi që kishte dhënë urdhër që raketa kundërajrore ruse Buk, ta rrezonte aeroplanin e udhëtarëve MH17.

Gubarev, thotë se pa Igor Girkin, protesta ruse në Ukrainën lindore nuk do të kishte sukses dhe e gjitha do të mbeste vetëm si protestë, pa mundësi të organizimit të konfliktit të armatosur dhe krijimit të rajoneve autonome të Donetsk dhe Luhansk.

Girkin, ne një rast e pranon se të shtënat e para dhe pastaj dhuna në Donbas, ishin provokuar nga njerëzit e tij. Ky skenar ishte praktikuar pothuajse në gjithë Ukrainën lindore si dhe në rajonin e Krimesë, ku pas skenave të dhunës kinse kundër popullatës civile, në skenë paraqiteshin grupe të armatosura të maskuara, për të cilat thuhet se ishin njësi special të ushtrisë dhe policisë ruse.

Për rolin e drejtpërdrejt të Rusisë në konfliktin në Ukrainë flet edhe Alexander Zhuchkovsky, i cili së bashku me Igor Girkin kishte shkuar në rajonin e Sloviansk. Zhuchkovsky kishte bërë një postim në VKontakt (rrjetë social rus i ngjashëm me Facebook), të cilin më vonë e kishte fshirë. Ai në postim kishte thënë se “Lufta në Ukrainë kishte si qëllim shkatërrimin e ukrainasve, sepse ekzistenca e tyre si popull i veçantë nuk është në interes të popullit rus”.

Për konfliktin në Ukrainë, Zhuchkovsky ka shkruar edhe një libër, ku e pasqyron qëndrimin e tij 85 ditorë në Sloviansk, ku nuk e vë në dyshim rolin e Rusisë në konflikt. Ky libër është përshkrimi i parë i hapur i rolit të Rusisë në luftime në Ukrainë.

Për implikimin e Rusisë në konflikt flet edhe një nga udhëheqësit e forcave pro-ruse, Alexander Bordai, i cili thotë se pa mbështetjen ushtarake të Rusisë, ai dhe kryengritësit tjerë do të kishin vdekur. Ai thotë se jetën e tij dhe të kryengritësve tjerë ja dedikon presidentit Putin, pa të cilin nuk do të ishin tani këtu.

Këto dëshmi të personave që kanë qenë pjesë e organizimit të konfliktit ne Ukrainën lindore, hedhin dritë në rolin e drejtpërdrejt të Rusisë në konfliktin ukrainas, ku është pothuajse e pakuptueshme si një grup kryengritësish do të mund ti rezistonin Ushtrisë ukrainase dhe do të merrnin nën kontrolle territore të konsiderueshme në pjesën lindore të Ukrainës, në kufirin me Rusinë, pa mbështetjen e drejtpërdrejt të Ushtrisë ruse.