Në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj është hapur panairi i veshjeve tradicionale, i organizuar nga Shoqata “Drugëza” dhe nën patronatin e kryetarit të kësaj komune, Bekim Jashari, në të cilin po marrin pjesë gra nga Prishtina, Kaçaniku, Malisheva, Shtimja, Mitrovica, Gjilani, Drenasi dhe Skenderaj.

Në hapje të panairit, i pari i Skenderajt ka thënë se këto ditë ky qytet është nikoqir i shumë aktiviteteve dhe ngjarjeve kulturore, argëtuese e sportive, për nder të ardhjes së bashkatdhetarëve për pushime në vendlindje.

“Edhe ky panair është pjesë e aktiviteteve të organizuara, për çka jemi të lumtur që ka mbledhur shumë gra të zonja të cilat merren me punimin e veshjeve tradicionale, duke e ekspozuar artin e punës së dorës”, ka thënë Jashari, dhe ka shtuar se ky aktivitet do të shërbejë gjithashtu që gjenerata e re e shqiptarëve që ka lindur në shtetet larg Kosovës, të njihet për së afërmi me traditën dhe kulturën e pasur të veshjeve tona tradicionale.

“Uroj të kaloni çaste të mira në qytetin tonë dhe tuajin! Ju lumshin duart për këto punime të mrekullueshme!”, ka uruar Jashari.

loading…