Në shumë vende të botës “wi-fi” mbetet prapa rrjeteve të telefonive

Shpejtësia e shkarkimit të materialeve përmes rrjeteve të telefonisë së lëvizshme është tashmë më e lartë sesa ajo e “wi-fi-së” në shumë vende të botës. Të paktën kështu sugjeron një studim i kohëve të fundit.

Matjet e shpejtësisë të kryera në 80 vende zbuluan se “wi-fi” linte për të dëshiruar në 33 prej tyre, sipas kompanisë “OpenSignal” që studion hartat e mbulimit me “wireless”. Ky është parë si një zhvillim për t’u theksuar, për më tepër kur rrjetet e telefonisë celulare pritet të kenë më shumë progres, kur të mbërrijë dhe të futet në përdorim rrjeti 5G.

“Wi-fi”, gjithsesi, mbetet mënyra më e shpejtë për të lundruar “online” në shumicën e vendeve të mbikëqyrura, përfshirë Britaninë dhe Irlandën, transmeton tch.

Rrjetet telefonike kanë për detyrë të licencojnë spektrin e shfrytëzuar prej tyre, ndaj teorikisht duhet të ofrojnë një eksperiencë me më shumë vazhdimësi.

“Perceptimi se rrjetet telefonike janë inferiore ndaj atyre ‘wi-fi’ ekziston, por është i gabuar”, shkruan analisti Ian Fogg në raportin në fjalë.

Australianët gëzojnë avantazhet më të mëdha përkundrejt “wi-fi”, me shpejtësitë e shkarkimit nga rrjetet telefonike që shkojnë mesatarisht 13 Mbps më të larta. Vendet, në të cilat shpejtësia e “wi-fi” është mesatarisht sa dyfishi i shpejtësisë së atyre telefonike, janë Hong Kongu, Shtetet e Bashkuara, Tajlanda, Izraeli dhe Rusia.