Në Shtimen e “çliruar”, babai asamblist paralajmëron dorëheqjen e së bijës drejtoreshë

Muhamet Ademaj, asamblist i AKR-së, parti kjo në pushtet me Lëvizjen Vetëvendosje në Shtime, ka paralajmëruar se vajza e tij Albana do të dorëhiqet nga pozita e drejtoreshës së Inovacionit dhe Zhvillimit të Projekteve në Komunën e Shtimes. 

Emërimi i saj në këtë pozitë nga kryetari Qemajl Aliu është parë si konflikt interesi nga shoqëria civile dhe anëtarë të Kuvendit Komunal, shkruan Demokracia.com.

Ademaj këtë paralajmërim e bëri sot në mbledhjen e Kuvendit Komunal në Shtime.

Ai ka treguar se vajza e tij shumë shpejt nuk do të jetë më drejtoreshë dhe ka kërkuar nga “çlirimtari” Qemajl Aliu që ta zëvendësojë më një kandidat tjetër, por jo nga radhët e AKR-së.

“I nderuar kryesues, i njoftoj kolegët e mi se shumë shpejt vajza ime nuk do të jetë drejtoreshë për Inovacione dhe falënderoj kryetarin të gjej mirëkuptim dhe të zëvendësojë këtë drejtori me një kandidat tjetër jo nga radhët e AKR-së. Por, ju e dini, që të hulumtojmë njerëz që kanë kontribuar në fushën e teknologjisë. Kështu që, unë po kërkoj kryetar që vajza ime të lirohet nga kjo detyrë se po më duket se shumë ka qenë një pengesë e madhe për shumë kolegë këtu brenda. Mirëpo, ka pasur edhe përkrahje. Por, kjo është kërkesa ime kryetar”, ka thënë asamblisti Ademaj në mbledhjen e Kuvendit Komunal, raporton Demokracia.com.

Demokracia.com në fillim të këtij muaji kishte raportuar për këtë konflikt interesi.

Anëtari i Kuvendit Komunal të Shtimes nga radhët e AKR-së, Muhamet Ademaj, për Demokracia.com kishte thënë se vajza e tij është emëruar në Drejtorinë e Inovacionit nga kryesia e AKR-së.

Ademaj kishte thënë se AKR funksionon brenda Grupit të LDK-së, e cila është në koalicion me LDK-në, por vajza e tij është aktiviste e AKR-së që 10 vite.