Në operacionin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, të ndërmarrë në nëntor të vitit të kaluar në veri të vendit, ishin arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Gjatë operacionit ishte bastisur edhe shtëpia e Milan Radojiçiqit.
Në shtëpinë e Radojiçiqit, i cili është edhe nënkryetar i Listës Serbe, gjatë bastisjes ishte gjetur drogë e llojit kokainë.
Kokainën e gjetur në shtëpinë e Radojiçiqit e ka konfirmuar për Ballkani.info Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha.
“76 gramë kokainë janë konfiskuar atë ditë”, ka thënë Hoxha për Ballkani.info.

Hoxha po ashtu ka konfirmuar se hetimet janë zgjeruar dhe se Radojiçiqi po hetohet edhe për veprën e e posedimit të lëndëve narkotike.
Milan Radojiçiq i njohur si person i afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që nga nëntori i vitit të kaluar është larguar nga Kosova dhe fshihet në Serbi. Ai atje mbrohet nga shteti serb.
Radojiçiqin, Policia e Kosovës, nuk kishte mund të kapte gjatë intervenimit në veri. Ai është i akuzuari kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. /Ballkani.info/







