Serbia

Në Serbi rusët dhe kinezët i shohin si ‘më të afërm’ se sa BE-në dhe SHBA-në

Një anketë e bërë nga një organizatë në Serbi ka treguar “disponimin e vogël” të serbëve, që vendi i tyre të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, anketa e bërë nga agjencia “Factor plus” ka treguar se 38 për qind e qytetarëve dëshirojnë që Serbia të bëhet pjesë e familjes evropiane, ndërsa 41 për qind janë kundër anëtarësimit në BE.

Për të njëjtën pyetje “A jeni për hyrjen e Serbisë në BE” – 21 për qind e të anketuarve thonë se nuk e dinë dhe nuk kanë mendim.

Drejtori i programeve të agjencisë Faktor Plus, Predrag Lacmanoviq, ka thënë për mediumin serb “Blic”, i cili ka raportuar anketën, se një numër i madh i qytetarëve, edhe pse besojnë se “BE-ja i ka bërë padrejtësi Serbisë”, ende duan që ne të shkojmë drejt BE-së.

Përveç kësaj, rreth 57 për qind e të anketuarve kanë pasur një qëndrim pozitiv ndaj Rusisë dhe 40 për qind ndaj Kinës.

Ndërsa BE-ja me 26 për qind dhe SHBA me vetëm 11 për qind të qëndrimeve pozitive ishin në fund.

“Kësaj pyetjeje qytetarët iu përgjigjën para së gjithash duke pasur parasysh se me kë do ta zgjidhnim çështjen e Kosovës. Prandaj Rusia dhe Kina perceptohen si vende mike sepse nuk e njohën Kosovën, ndryshe nga BE-ja dhe SHBA-ja. Po ashtu, Rusia dhe Kina nuk na kanë bombarduar dhe as po na kushtëzojnë në raport me Kosovën. Prandaj, në këtë rast përgjigjet janë diktuar më shumë nga emocionet sesa nga arsyeja apo nga kombinimi i emocioneve dhe arsyes”, ka vlerësuar Lacmanoviq.