Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq thotë se deklarata e shefit të kabinetit të kryeministrit kosovar, Avni Arifi, që autoritetet kosovare mund të suspendojnë përkohësisht taksën ndaj mallrave serbe, përkthyer në “gjuhën e zakonshme”, do të thotë heqjen e taksës.
Daçiq ka thënë se Prishtina ka ardhur në situatë që të vetëdijesohet që secila shtyrje tjetër e heqjes së taksës mund të ketë pasoja të rënda për marrëdheniet e tyre me SHBA-të, transmeton Ballkani.info.
Pra, në Serbi secila deklaratë nga Kosova sa i përket taksës po komentohet bujshëm, sidomos kur bëhet fjalë për heqjen e saj.
Kjo tregon se në çfarë gjendje ka ardhur Serbia pas vendosjes së taksës.
Shteti serb dhe politikanët atje po bëjnë çmos që mos të vazhdojë edhe më tutje taksë, pasi që në pyetje janë miliona euro humbje për çdo ditë.
Shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi, ka thënë mbrëmë se Kosova mund ta heqë taksën përkohësisht ndaj shtetit serb në rast se fillojnë negociatat me një seriozitet me të madh.
Në të kundërten, sipas Arifit nuk ndryshon ky vendim i qeverisë.
Në anën tjetër vet kryeministri Ramush Haradinaj, pas takimit me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett, tha se janë të interesuar për heqjen e taksës. /Ballkani.info/







