Në Serbi arrin aeroplani i 11-të nga Rusia, por pse?

Në aeroportin ushtarak të Beogradit, Batajnica, të shtunën ateroi aeroplani i 11-të me pajisje mjekësore, të dërguara nga Rusia si ndihmë për luftimin e koronavirusit.

Furnizimet janë pjesë e një marrëveshjeje midis presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, tha Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

”Të premten, ndihma ka arritur me gjashtë avionë, ndërsa gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, në Aeroportin e Batajnicës kanë ateruar edhe pesë aeroplanë”, thuhet në komunikatë.

Në mesin e furnizimeve ka respiratorë dhe barna. Po ashtu edhe disa mjekë rusë kanë arritur në Serbi.

Serbia ka aktualisht 1,476 njerëz të inefektuar me koronavirus, ndërsa 39 pacientë atje kanë humbur jetën.

Më 2 prill, Vuçiq ka thënë se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ka konfirmuar se një “ndihmë e rendësishme po vjen në Serbi”.

Vuçiq ka kritikuar hapur Bashkimin Evropian për, siç ka thënë, mungesë solidariteti në kohë të pandemisë.