Në seancën për Epopenë e UÇK-së, Agim Bahtiri kërkon lirimin e Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë të Speciales

Kuvendi Komunal i Mitrovicës, ka mbajtur sot seancë solemne për nder të 23-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në seancë ka përmendur edhe themeltarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në Hagë, e për të cilët tha se po mbahen padrejtësisht, duke kërkuar nga institucionet e vendit të bëjnë çmos për lirimin e tyre, sepse lufta e tyre ka qenë e pastër dhe e drejtë.

Në këtë seancë ishin të pranishëm kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, kryesuesi i Kuvendit, Safet Kamberi, drejtorët e drejtorive komunale, asamblistë, përfaqësues nga Policia e Kosovës, FSK-ja, Bashkësia Islame, Shoqatat e Dalura nga Lufta e UÇK-së, media si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Gjatë kësaj seance, në veçanti është folur për sakrificën e familjes Jashari për lirinë e Kosovës, duke e çmuar lartë kontributin e kësaj familje por edhe të gjithë dëshmorëve. Fillimisht seanca solemne nisi me një minutë heshtje për të përkujtuar familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët e rënë për lirinë e Kosovës.

Pas përfundimit të seancës, të gjithë pjesëmarrësit vazhduan për homazhe në varrezat e dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës, për të nderuar të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.