Njohësi i rrethanave politike, Albert Krasniqi, ka thënë sot se hyrja në seancën e ditës së enjte të Kuvendit të Kosovës pa një marrëveshje në mes partive politike për bashkëqeverisje, nuk duhet që t’i gjejë partitë politike pa një marrëveshje për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka thënë se Kuvendit duhet të konstituohet nesër dhe skenat e ngërçit të vitit 2014 nuk duhet të tolerohen.

Ai tutje ka thënë se vendi nuk mund të mbahet peng derisa partitë politike t’i përmbushin ambiciet e tyre për pushtet.

Postimi i plotë:

Nëse nesër shkohet drejt seancës konstituive pa marrëveshje për bashkëqeverisje, atëherë partitë politike të paktën duhet të merren vesh për pozitën e Kryetarit të Kuvendit.

Pozita e Kryetarit të Kuvendit është prestigjioze dhe i jep autoritet personit që e përfaqëson Kuvendin. Mirëpo, kompetencat janë më shumë administrative, të një kujdestari që mban rend dhe rregull në mbledhje.

Kuvendit duhet të konstituohet nesër dhe skenat e ngërçit të vitit 2014 nuk duhet të tolerohen. Vendi nuk mund të mbahet peng derisa partitë politike t’i përmbushin ambiciet e tyre për pushtet.