Gjykata Speciale

Në seancë private për publikun, fillon gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar seanca gjyqësore ndaj Pjetër Shalës, e cila është edhe në sesion privat për publikun, me arsyen se do të diskutohet për disa çështje.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia njoftoi se gjatë kësaj seance do të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të nëntë të mbrojtjes, me kodin W04280, i cili do të jetë me masa mbrojtëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, Veldt-Foglia njoftoi se dëshmitari nuk do të jetë i pranishëm në sallë, mirëpo përmes video-lidhjes.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.