Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 48-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W01140 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Dëshmitari W01140 ishte banor i Prizrenit. Në qershor të 1999 u rrëmbye edhe u rrah nga anëtarët e UÇK-së. U rrah shumë dhe u kërcënua me vdekje. Gjatë kësaj kohe pa edhe persona tjerë të ndaluar të lënduar. U lirua nga një anëtar i UÇK-së të cilin e njihte më parë. Edhe sot vazhdon të vuaj nga dëmtimet që ka pësuar gjatë asaj kohe”, tha prokurorja Clanton gjatë leximit të përmbledhjes për këtë dëshmitar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky dëshmitar është me masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar përmes video-lidhjes dhe është duke u marrë në pyetje nga përfaqësuesja e ZPS-së, nga prokurorja Sarah Clanton në seancë private për publikun.

Sipas trupit gjykues, në parashtrimet e veta përfaqësuesit e ZPS-së kanë paraparë rreth një orë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar. Ndërsa, mbrojtja e viktimave ka paraparë 15 minuta dhe ajo e të akuzuarve rreth tri orë.

Që ky dëshmitar të dëshmoj përmes video-lidhjes pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes së të akuzuarve. Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq tha se ky dëshmitar ka qenë i pranishëm në ambientet e DhSK-së dhe ka pasur mundësi të udhëtoj drejtë Hagës.

Ndërsa, gjyqtari Charles Smith III ia ktheu duke i thënë se i dinë trupi gjykues arsyet.

“E dimë ne arsyet. Jemi ne në dijeni të arsyejeve dhe nga pikëpamja jonë kjo nuk e cenon procesin gjyqësor”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Pas kësaj, Mishetiq kërkoi që të mos bëhet kjo precedent që të mos informohen paraprakisht pasi sipas tij ata nuk mund të pranojnë diçka për të cilën nuk janë informuar. Të njëjtin qëndrim ishin edhe mbrojtja e Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Ndryshe në fillim të seancës është miratuar kërkesa e mbrojtjes së Veselit që kundërpyetjet e trupit gjykues mos të përllogaritën në kohën për kundërpyetje të mbrojtjes.

“Miratohet kërkesa e mbrojtjes së Veselit që trupi gjykues t’i kërkoj përfaqësuesit të Zyrës Administrative që kur të përllogarisë kundërpyetjet e mbrojtjes të mos pëfshijë këtu edhe kundërpyetjet e trupit gjykues. E njëjta vlen edhe për ZPS-në”, tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.

Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqi përmes videolidhjes pasi sipas Smith III ata kanë hequr dorë nga e drejta e tyre për të qenë të pranishëm fizikisht./Betimi për Drejtësi

VIDEO BONUS: Shqipëria dhe Ukraina nënshkruajnë marrëveshje për forcimin e miqësisë