Disa kolovajza ngjyrë rozë janë vendosur nëpër hapësirat e rrethojës së lartë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Ato janë dërguar nga disa profesorë që po synojnë ta krijojnë një concept më miqësor të unitetit mes dy shteteve.
Këto kolovajza janë ndërtuar nga Ronald Rael, profesor i arkitekturës në Universitetin e Kalifornisë, dhe Virginia San Fratello, profesoreshë e dizajnit në Universitetin e San Jose-s.
Në një fotografi të publikuar në Instagram, e cila ka marrë dhjetëra mijëra pëlqime, shihen fëmijët dhe të rriturit duke lozur në kolovajza në të dyja anët e kufirit. Shpikësi i kësaj ideje tha se kjo ngjarje ka për qëllim që të sjellë kënaqësi dhe unitet në murin e kufirit.
Kufiri mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës është bërë një ndër çështjen kryesore të presidencës së Trumpit. Premtimi i tij për ndërtimin e një muri të lartë përgjatë këtij kufiri nuk është realizuar ende, por ndalimi i imigrantëve në kufi, përdorimi i gazit lotsjellës dhe ndarja e fëmijëve nga prindërit janë disa nga taktikat kundërthënëse, që janë përdorur nga autoritetet amerikane nën pushtetin e presidentit të tanishëm.
Para disa ditësh, Gjykata Supreme e ShBA-së mori vendim në favor të Trumpit, duke ia lejuar atij shfrytëzimin e 2.5 miliardë dollarëve nga fondet e Pentagonit për ndërtimin e murit në Arizona, Kaliforni dhe New Mexico, shkruan “The Guardian.







