Parlamenti Evropian

Në raportin e PE-së për Serbinë, amendament kompromisi për korrigjim të kufijve mes Kosovës e Serbisë

Komiteti i Politikës së Jashtme i Parlamentit Evropian sot do të duhej të miratonte tekstin e raportit mbi Serbinë i cili përfshin një amendament për korrigjimin e mundshëm të kufijve mes Kosovës e Serbisë.

“Çdo marrëveshje mund të jetë e pranueshme vetëm nëse është dakord reciprokisht dhe në përputhje me stabilitetin e përgjithshëm të rajonit dhe të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në tekstin e amendamentit të rënë dakord, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Në total prej 239 amendamente në raportin e këtij viti për Serbinë të raportuesit të Parlamentit Evropian David McAllister janë zvogëluar në 27 amendamente kompromisi që do të duhej të futeshin në tekstin përfundimtar të raportit për Serbinë. Për to do të votohet sot në takimin e Komitetit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel.

Vëmendjen e veçantë të deputetit e ka amendamenti i kompromisit me numrin 25, lidhur me debatin për korrigjimin e mundshëm të kufijve mes Kosovës e Serbisë, përfshirë edhe “shkëmbimin e territoreve”.

Në fillim të tekstit, që do të duhej të përfshihej në versionin përfundimtar të raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, por edhe për Kosovën, theksohet “natyra multietnike e Kosovës dhe e Serbisë” si fakt që “shtetet etnikisht homogjene nuk do të duhej të ishin objektiv në rajon”.

“Mbështetet dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja si mundësi për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës. Konsiderohet se çdo marrëveshje mund të jetë e pranueshme nëse të dy palët pajtohen reciprokisht, merret parasysh stabiliteti i përgjithshëm rajonal dhe e drejta ndërkombëtare”, theksohet në tekstin e amendamentit të kompromisit i cili përfshin 10 përfaqësues të PE-së.

Pas miratimit në Komitetin për Politikë të Jashtme të raportit për Serbinë, deri në fund të muajit nëntor do të duhej të miratohej nga të gjithë deputetët e Parlamentit Evropian në Bruksel.