Në Prizren ndalohet një person për shkeljen e masave kundër COVID-19

Një person u ndalua në Prizren, nën dyshimin se ka shkelur rregullat e vendosura nga autoritetet e Kosovës për luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Masat e reja për luftimin e COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, kanë hyrë në fuqi më 6 korrik.

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës thuhet se, më 7 korrik, në orën 21:40, policia ka ndaluar një të dyshuar mashkull, i cili ka vepruar në kundërshtim me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër COVID-19.

“Në konsultim me prokurorin, ndaj të dyshuarit është iniciuar lënda e rastit, e cila procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Që prej 6 korrikut, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Vushtrri është ndaluar lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në orën 5:00.

Në këtë interval kohor e kanë të ndaluar të ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe bizneset e gastronomisë.

Policia, më 6 korrik, ka njoftuar se ka ndaluar edhe një grua në Vushtrri, e infektuar me koronavirus, e cila ka thyer rregullin e vetizolimit dhe ka dalë në qytet.

Në Kosovë, që prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus më 13 mars e deri më 7 korrik, janë konfirmuar 3,886 raste.

Prej tyre, 82 pacientë kanë vdekur dhe 2,003 janë shëruar.