Janë ndezur qirinj dhe vendosur kurora lulesh sot në Prizren pranë muralit të Astrit Deharit, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje i cili ka ndërruar jetë më 5 nëntor 2016, në burgun e Prizrenit.
Zyrtarë komunalë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, aktivistë, familjarë dhe miq të Deharit u mblodhën në Prizren për ta kujtuar atë në përvjetorin e tretë të vdekjes.Qirinj dhe lule vendosën edhe prindërit e Astrit Deharit, gruaja, motra dhe nipi i tij.
Babai i tij, Avni Dehari u tha aktivistëve dhe qytetarëve që pa ndihmën e tyre nuk do të mund të qëndronin të fortë.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka foli për punën dhe angazhimin e Astrit Deharit, të cilën siç tha ai, nuk e ka reklamuar, por ka punuar i qetë për të mirën publike.
Sot, në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit janë mbajtur edhe aktivitete të tjera ku dita ka nisur me homazhe pranë varrit të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, pastaj marshi në sheshin qendror të Prishtinës nën moton “Një popull për drejtësi”, dhurimi i gjakut në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet, dhe Komuna e Prishtinës në shenjë proteste dhe përkujtimi ka ndaluar të gjitha shërbimet me palë për 5 minuta.











