Në pikë të ditës rrëmbehet një 22 vjeçare në Pejë

Një vajzë 22-vjeçare është rrëmbyer në rrugën “Ramë Geci” në qytetin e Pejës në mes të ditës.

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se vajza ishte futur me forcë dhe pa dëshirë në një veturë me targa vendore.

“Rr. Ramë Geci, Pejë, 27.11.2020-12:10. Një dëshmitar, kishte vërejtur dy persona të dyshuar meshkuj me një veture me targa vendore, me forcë dhe pa dëshirën e saj e kishin futur në veturë një vajzë rreth 22 vjeçare”, thuhet në raportin 24-orësh.

Policia ka bërë të ditur se ka identifikuar personat e dyshuar, mirëpo ka arrestuar vetëm një të dyshuar ndërsa tjetri ka ikur me viktimën.

“Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vend-ngjarje dhe kanë identifikuar personat e dyshuar. Njëri nga të dyshuarit mashkull kosovar është arrestuar, ndërsa tjetri se bashku me viktimën ka ikur. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.