Në pesë vitet e fundit në Kosovë janë kryer 154 vrasje, prej tyre 79 të rënda

Nga viti 2016 e deri në gusht të vitit 2021, në Republikën e Kosovës kanë ndodhur 154 vrasje, prej të cilave 79 janë cilësuar si vrasje të rënda, ndërkaq 75 si vrasje.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për Telegrafin, se nga janari deri në gusht të këtij viti në Kosovë kanë ndodhur 19 vrasje, prej të cilave 7 janë cilësuar si vrasje, kurse 12 si vrasje të rënda.

Sipas statistikave të PK-së në vitin 2016 janë kryer 14 vrasje sipas Nenit 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtin vit pra 2016, janë kryer 16 vrasje të rënda sipas Nenit 179 Kodit Penal, transmeton telegrafi.

Në vitin 2017, sipas statistikave të Policisë së Kosovës ,kanë ndodhur 12 raste të vrasjes, sipas Nenit 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërkaq kanë ndodhur po ashtu edhe 12 vrasje të rënda sipas Nenit 179 të këtij Kodi.

Sipas Policisë së Kosovës më së shumti raste të vrasjeve brenda këtyre pesë viteve, në bazë të Nenit 178 të Kodit Penal të RKS-së, kanë ndodhur gjatë vitit 2018, ku janë regjistruar 22 raste të cilësuara si vrasje, ndërkaq po në këtë vit kanë ndodhur 12 vrasje të rënda.

Në vitin 2019, kanë ndodhur 8 vrasje dhe 12 vrasje të rënda.

Ndërkaq, në vitin 2020 në Kosovë kanë ndodhur 15 vrasje të rënda dhe 12 vrasje.

Kurse deri në gusht të vitit 2021 në Kosovë kanë ndodhur 12 vrasje të rënda dhe 7 vrasje.

Vrasja e fundit që ka ndodhur në vendin tonë është ajo e së hënës mbrëma në qytetin e Gjilanit, ku nga arma e zjarrit mbeti i vdekur E.R, në afërsi të shtëpisë së tij në lagjen “Arbëria” të këtij qyteti.

Deri më tani për këtë vrasje janë arrestuar pesë të dyshuar, për të cilët prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.