Në pesë ministri numri i këshilltarëve të brendshëm do të rritet nga 6 në 10

​Ndryshohet projekt-rregullorja për Zyrën e Kryeministrit, parashihet rritja e numrit të këshilltarëve politikë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar ndryshimin e projekt-rregullores për Zyrën e Kryeministrit, ku parashihet edhe rritja e numrit të këshilltarëve politik nga 6 në 10.

Por, zëdhënësi, Përparim Kryeziu tha se ky ndryshim është vetëm për 5 ministri të cilat janë bashkuar dhe shkrirë.

“Bëhet fjalë për shtimin e kapaciteteve njerëzore brenda kabineteve të 5 ministrive që janë fuzionuar. Bëhet fjalë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Mjedisit, Ministria e Industrisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ky ndryshim ka për qëllim me ju përgjigj faktit se këto ministri kur janë shkri kanë pësuar një rritje apo zgjerim të kompetencave që kanë dhe rrjedhimisht ka pasur nevojë për rritje të kapaciteteve. Në këto ministri nga 6 numri i këshilltarëve t ngritet në 10”, tha Kryeziu në konferencën për medie pas mbledhjes së qeverisë. /Telegrafi/