Në listën e Këshillit Drejtues të PDK-së më i votuar del Uran Ismaili, ndërsa aty mungojnë emra të figurave të njohura të partisë si Xhavit Haliti, Arsim Bajrami.

Të dielën, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën e Nëntë Zgjedhore dhe sipas të gjitha pritjeve, ka rizgjedhur kryetar pa asnjë kundërkandidat, Kadri Veselin.

Në listën e të zgjedhurve të Këshillit Drejtues të kësaj partie, nuk shihen emra si Xhavit Haliti, Justina Pula, Arsim Bajrami e Elmi Reçica.

Më i votuari në listë është Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, që pritet të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja. Ismaili ka marrë 461.

Pas Ismailit më të votuarit janë ish-kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemaili, me 458 vota dhe Hajredin Kuçi me 453 vota. Po ashtu, Ministri i Financave, Bedri Hamza është pjesë e listës me 433 vota.

Mbi 400 vota ka marrë edhe Andin Hoti, djali i veprimtarit Ukshin Hoti, i cili është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, shkruan Ballkani.info.

Nga votat e numëruar, pjesë e PDK-së, janë bërë sërish, ose më mirë të thuhet, janë rikthyer “garda e vjetër”.

Në këtë strukturë të re partiake janë rikthyer Qemal Mustafa ish kryetar i Gjilanit dhe i akuzuar për korrupsion, i cili i ka marrë 352 vota, pasta Ramë Buja, ish ministër i Arsimit dhe i akuzuar shpesh për shkatërrim të arsimit në Kosovë. Buja i tërhequr kohëve të fundit nga PDK-ja është rikthyer në Këshillin Drejtues duke i marrë 373 vota.

Në parti është rikthyer fuqishëm ish zëvendëskryeministri dhe ish ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ai është “shpërblyer” me 453 vota, shkruan Ballkani.info.

Edhe Bajrush Xhemajli, i dënuar dhe i cili ka mbajtur edhe burg për aksidentin vdekjeprurës të shkaktuar vite më parë, është rikthyer në organin kryesor drejtues të PDK-së. Xhemajli, ish deputet dhe ish kryetar i Ferizajt i ka marrë 458 vota.

Kryeprotagonisti i skandalit “Pronto”, Adem Grabovci është shpërblyer nga partia. I tërhequr kohë më parë nga jeta publike, Grabovci është ringjitur në parti duke marrë 323 vota. /Ballkani.info/