Në orën 17:00, takohen Vetëvendosje dhe LDK, prezenca e përfaqësuesve të Quintit dhe të BE-së e pakonfirmuar

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, sot pasdite do të kenë edhe një tentim për të arritur marrëveshje për koalicion. Burime brenda LDK-së i kanë thënë portalit Koha.net se takimi do të mbahet në orën 17:00.

“Ishte kërkesa e VV-së që takimi i sotëm të mbahet me prezencën edhe të përfaqësuesve të Quintit si dhe shefes së zyrës së BE-së në Kosovës, Nataliya Apostolova”, ka thënë burimi.

Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, burimet e kanë konfirmuar orën e takimit, porse kanë bërë të ditur se ende nuk ka një konfirmim të përfaqësuesve të Quintit dhe BE-së.

Përpjekjet e deritashme për ofrim të të dy subjekteve nuk kanë dhënë rezultat, ndërkohë qe vendi po hyn në muajin e katërt pa qeveri të re të dalur nga zgjedhjet e 6 tetorit.

LDK-ja nuk po lëshon pe në kërkesën që ta marrë postin e kreut të Kuvendit të Kosovës, të cilin e mbanë Glauk Konjufca, teksa VV-ja po refuzon kompromisin mbi këtë bazë.

Një takim i mbajtur të hënën pasdite nuk dha rezultat. Oferta e fundit e Kurtit në adresë të LDK-së është që ndarja e dikastereve të jetë 6 me 4 ose 7 me 5, në favor të LDK-së. Në këtë propozim nuk përfshihet negocimi i postit të kryeparlamentarit.

Sipas afatit kushtetues kanë mbetur edhe shtatë ditë kohë kur i mandatuari për kryeministër Albin Kurti duhet të arrijë një marrëveshje me LDK-në apo çështja ta kthehet sërish në zyrën e presidentit të vendit Hashim Thaçi.

Në rast të dështimit të marrëveshjes, presidenti pas konsultave më subjektet politike do të kërkojë emrin e një mandatari tjetër nga VV-ja.