Në Obiliq, nënshkruhet kontrata për projektin e sistemit te ngrohjes qendrore

Në Komunën e Obiliqit, sot është nënshkruar kontrata për realizimin e projektit “Koogjenerimi- Shtrirja e rrjetit të sistemit të ngrohjes qendrore në Obiliq”.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili ka shprehur se: “Ky lajm i shumëpritur për qytetarët e Obiliqit, është vazhdimësi e përpjekjeve për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetesës si dhe përkushtimit e angazhimit tonë të përbashkët që Obiliqin ta bëjmë qytetin më të bukur!”

Shkrimi i plotë i Kryetarit Gashi:

“Bashkëqytetarë të nderuar,

Sot, bëhen gjashtë (6) vite prej kur Kuvendi i Republikës së Kosovës ka votuar Ligjin për Obiliqin, një ligj i cili ka krijuar mundësi të shumta për qytetarët e Obiliqit, ndaj pikërisht sot kam kënaqësi të ndaj me ju lajmin se kam nënshkruar kontratën për realizimin e projektit “Koogjenerimi- Shtrirja e rrjetit të sistemit të ngrohjes qendrore në Obiliq”.

Ky lajm i shumëpritur për qytetarët e Obiliqit, është vazhdimësi e përpjekjeve për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë së jetesës si dhe përkushtimit e angazhimit tonë të përbashkët që Obiliqin ta bëjmë qytetin më të bukur!

Ju ftoj të gjithëve që me datë 02 dhjetor (e premte) nga ora 14:00 në qendër të qytetit të Obiliqit, bashkë të vendosim gurthemelin për realizimin e këtij projekti!

Urime gjithë qytetarëve për këtë projekt kaq të rëndësishëm! Bashkë, na priftë e mbara! Xhafer Gashi”