Në një ndeshje me shumë gola, Ballkani i Munishit ia “tregon vendin” Llapit të Batatinës

Ballkani e ka mposhtur bindshëm 4:2 Llapin të dielën në Suharekë, duke ia shkaktuar humbjen e tetë në këtë fillim sezon në Superligë.

Skuadra e Ismet Munishit e kreu punën në një pjesë të parë të furishme, kur i shënoi të gjitha katër golat në Stadiumin e Qytetit në Suharekë.

Nazmi Gripshi e hapi serinë e golave pas një çereku lojë, para se Ermal Krasniqi ta dyfishonte epërsinë në minutën e 24-të.

Gripshi e shënoi golin e dytë personal dhe të tretë për klubin nga Suhareka pesë minuta parafundit, kur u shërbye për mrekulli nga Blendi Baftiu.

Mirlind Daku e shënoi golin e katërt të Ballkanit në minutën e 45-të, i cili ishte i 18-ti i tij personal në 12 ndeshje këtë sezon.

Elvis Prençi e shënoi golin e parë për vizitorët në fillim të pjesës së dytë, kur realizoi me kokë pas një ndërprerjeje, ndërsa Ahmet Januzi shënoi dhjetë minuta parafundit për ta zvogëluar edhe më shumë epërsinë e vendasve, në një tjetër paraqitje të dobët të skuadrës së Tahir Batatinës.

Sikur mos të ishte për pritjet e shpeshta dhe të mrekullueshme të portierit Hoffman, epërsia e Ballkanit do të ishte shumë më e thellë.

Ballkani vijon të jetë lider i Superligës me 29 pikë, tri më shumë se Drita, e cila e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

lapi ngel në pozitën e parafundit me tetë pikë, katër më pak se zona e shpëtimit nga rënia në Ligën e Parë dhe vetëm dy më shumë se vendi i fundit, Besa.