Në nderim të dhjetë bashkëatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik në Kroaci, sonte në orën 21:00, do të bëhen homazhe me ndezje të qirinjëve para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Në nderim të bashkatdhetarëve tonë që humbën jetën në aksidentin tragjik të mëngjesit të sotëm në Kroaci, së bashku le të bëjmë homazhe me ndezje të qirinjëve para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, sonte, nga ora 21:00.”, thuhet në njoftim.
Në këtë aksident të rëndë dhjetë persona mbetën të vdekur, 15 pësuan lëndime të rënda, ndërsa 14 persona mbijetuan pa lëndime.
Personat e lënduar janë transportuar për në spitalin në Slavonski Brod për trajtim të mëtejshëm mjekësor, ndërsa ata të cilët shpëtuan pa lëndime janë strehuar dhe përkujdesur në objektin Pansion Antonio në këtë qytet që ofron shërbime hotelierike.
Në anën tjetër, shoferi 52-vjeçar i autobusit është arrestuar dhe do t’i dorëzohet mbikëqyrësit të kujdestarisë së Administratës së Policisë Brod-Posavina me një kallëzim penal për dyshimin e kryerjes së vrepres penale sipas nenit 227 të Kodit Penal ‘Shkaktimi i një aksidenti në trafik rrugor’.
Shoferi i cili ishte duke vozitur në momentin e aksidentit e ka pranuar gjatë intervistimit nga Policia se për një moment e kishte zënë gjumi, ka konfirmuar zëvendësprokurori komunal Slavko Pranjiq.
Një nga dhjetë viktimat e aksidenti është edhe njëri nga shoferët e autobusit i cili nuk ishte duke vozitur në momentin e aksidentit.
Në mesin e 67 pasagjerëve të pranishëm në autobus, kishte edhe fëmijë, por që nuk u raportua se ndonjëri nga të miturit ka humbur jetën.
Ndërkohë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.







