Ligji për paga i miratuar më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi nga dita e enjte, do të nisë së zbatuari vetëm pas nëntë muajve të ardhshëm, pra në tetor.
Kjo vonesë e fillimit të implementimit po konsiderohet e pa arsyeshme, edhe pse sekretari i Kuvendit të Kosovës thotë se arsyet e mos zbatimit të menjëhershëm janë ligjore.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Administratë Publike Nait Hasani thotë për Ballkani.info se për shkak të akteve nënligjore, Ligji për paga nuk mund të hyjë në fuqi deri në tetor, ndërsa ka mohuar që mund të jetë arsye tjetër qoftë edhe për shkak të mjeteve buxhetore.
Ndërsa, nënkryetarja e Komisionit për Administratë Publike, Shqipe Pantina nga radhët e PSD-së thekson për Ballkani.info se një ndër arsyet përse Ligji për paga nuk do të implementohet deri në tetor, është mungesa e mjeteve financiare, pasi nuk është paraparë me buxhetin e vitit 2019.
Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe të Ministrisë së Administratës Publike nuk janë përgjigjur lidhur me zbatimin e Ligjit të Pagave.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini thotë për Ballkani.info se përgjegjëse dhe implementues të Ligjit të ri për Paga është Ministria e Administratës Publike, ndërsa, kjo e fundit ka thënë se Ligji është në Kuvend dhe nuk ndihen përgjegjëse për këtë Ligj.
Ndërsa, profesori universitar Muhamet Sadiku mendon se periudha nëntë mujore e mos zbatimit të ligjit për paga është e panevojshme, dhe sipas tij, kjo kohëzgjatje mund të shkakton probleme për ndryshime eventuale të ligjit.
Ndryshe, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nuk e ka dekretuar Projektligjin për Pagat, ndërsa pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në fuqi në mënyrë të heshtur. Ligji për pagat ka një kosto rreth 120 milionë euro.






