Kuvendi

Në mungesë kuorumi, mbyllet seanca e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë diskutuar për shkarkimin e Shqiprim Pulës nga pozita e anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare, por kjo pikë nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së deputetëve në seancë.

Sala Berisha Shala, kryetare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, ka paraqitur arsyetimin e kësaj kërkese, para deputetëve të Kosovës.

Berisha Shala, tha se me 24 shtator të këtij viti komisioni ka pranuar informatën me shkrim nga kryetari i ARKEP Kreshnik Gashi lidhur me shkeljet ligjore të anëtarit të Bordit Shqiprim Pula.

Ajo tha se me votë unanime deputetët e komisionit kishin votuar që ti rekomandohet Kuvendit që Shqiprim Pula të shkarkohet pasi e ka shkelur Ligjin për Komunikime Elektronike duke e pezulluar postin si shef i departamentit ligjor dhe njëkohësisht ka mbajt pozitën anëtar i bordit në ARKEP.

“Komisioni pasi shqyrtoi shkresat e lëndës vendosi t’i rekomandoj Kuvendit shkarkimin e zotit Shqiprim Pula nga anëtar i Bordit të ARKEP për shkak se ka shkel nenin 78 paragrafi 6 të ligjit për komunikimet elektronike duke pezulluar postin e tij zyrtar si shef i departamentit ligjor dhe njëkohësisht të jetë anëtar bordi në ARKEP”, tha Berisha Shala.

Deputeti Blerim Kuçi nga AAK-ja tha se Pula i është drejtuar edhe grupit të tij parlamentar lidhur me këtë çështje.

“Z. Pula ka ofruar një dokument nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe thuhet se nuk ka konflikt interesi. Nuk ka agjencion më kredibil për këtë çështje. Sipas tyre nuk ka konflikt interesi në rastin e z. Pula. Komisioni dhe ky Kuvend duhet ta shqyrtojë vendimin dhe të merret vesh me AKK-në”, tha ai.

Kurse, deputeti Milaim Zeka tha se për këtë rast po flet në emër personal dhe shtoi se ka pranuar një shkresë nga AKK-ja ku thuhet se lënda në fjalë është mbyllur dhe Shqiprim Pula nuk ka bërë asnjë shkelje në bazë të ligjit.

“Kemi raste ku shumë deputetë japin mësim në universitete publike. Kjo është sikur unë të vazhdoja të punoja si gazetar në RTK. Kemi dilema rreth disa shefave të agjencive të cilët i kanë ngrirë postet e tyre dhe vazhdojë të punojnë si drejtorë në vende tjera”, tha Zeka.

Memli Krasniqi nga PDK tha se në një situatë identike është shkarkuar një anëtare e bordit të RTK-së.

“Komisioni e ka kry punën e vet në bazë të dokumentacionit voluminoz. Në asnjë mënyrë çështje të tilla nuk duhet të personalizohen. Ku Kuvend nuk duhet të marr vendim nga raporte ndër personale. Kur do të kemi kuorum, deputetët do të duhej ta zbatojnë ligjit dhe zbatojnë vendimet e autoriteteve me vlerësur ligjëshmërinë e këtyre vendimeve”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, Shqipe Pantina nga PSD-ja tha se shumë nga anëtarë të bordeve mbajnë dhe pozita të tjera, dhe ka raste kur kanë konflikte interesi.

Gjatë formimit të Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radha e komunitetit serb, nënkryetarja e Kuvendit Myfera Shinik, e ka mbyllur seancën duke thënë se administrata do të lajmërojë për vazhdimin e saj.